HAGË-Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e ka cilësuar aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit si një “tallje me drejtësinë” dhe ka paralajmëruar se mbrojtja do ta apelojë vendimin. Avokati shtoi se mund të përballej me telashe për komentin e tij, por rrëfeu se kishte goditur kokën me grushte në momentin kur gjykatësi shqiptoi fjalët “në emër të popullit të Kosovës”.
Prosper kërkoi që Parlamenti i Kosovës ta shqyrtojë këtë çështje, duke theksuar se Dhomat e Specializuara janë rezultat i një partneriteti ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Parlamentit të Kosovës. Ai tha se, po të varej prej tij, mbështetja do të tërhiqej që të nesërmen.
Avokati, i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper: Fola me z.Thaçi dhe ai e vlerëson shumë mbështetjen e njerëzve. Është i përgatitur që të luftojë për veten dhe Kosovës. Dhe një koment tjetër. Ndoshta mund të hyj në telashe për këtë. Kam goditur kokën me grushte kur gjykatësi shqiptoi ‘në emër të popullit të Kosovës’. Ata nuk dëgjuan mbrojtjen. Parlamenti i Kosovës duhet ta shohë këtë. Sepse ky është partneritet mes BE-së dhe Parlamentit të Kosovës. Unë do e hiqja mbështetjen që nesër. Kosova duhet të marrë një vendim sovran. Në disa raste duhet të çohesh në këmbë dhe të marrësh një vendim. Ai do të lirohet në një pikë. Beteja dhe lufta vijojnë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës u themeluan në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, një amendamenti kushtetues, si dhe në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës. Konkretisht Kuvendi i Kosovës miratoi amendamentin kushtetues dhe ligjin special për themelimin e tyre më 3 gusht 2015, me qëllim hetimin e pretendimeve për krime të supozuara të ndodhura gjatë dhe pas luftës në Kosovë (periudha 1998–2000) bazuar në raportin e Këshillit të Evropës.
Sot në selinë e Gjykatës Speciale në Hagë u dha vendimi me 81 vite burg në total për 4 ish-krerët e UÇK-së për krime lufte. Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan me nga 25 vite burg Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vite Kadri Veselin dhe me 13 vite Rexhep Selimin.