
KAPSHTICË-Pas orëve të gjata pritjeje, pala greke sapo ka njoftuar se do të lejohet kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, kamionave dhe autobusëve drejt Greqisë nëpërmjet doganës së Kapshticës.
Prej orës 17:00 të së dielës policia greke nuk lejoi kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës drejt vendit fqinj. Autoritetet greke kanë njoftuar palën shqiptare, se përveç kamionëve ndalohej lëvizja edhe e autobusëve në Kapshticë, si pasojë e kushteve të vështira atmosferike. Ndalimi shkaktoi radhë të gjata në pikën kufitare. Udhëtarët dhe drejtuesit e automjeteve u shprehën të shqetësuar për këtë situatë.
"Në vijim të informacionit të dhënë më datë 12.01.2025, për njoftimin nga Policia Kufitare greke, për bllokimin e lëvizjes së kamionëve dhe autobusëve, në PKK Kapshticë, informojmë se: Ditën e sotme, në orën 14:35, pas kontaktit me palën greke, ka filluar lëvizja e kamionëve dhe autobusëve në drejtim të Greqisë,"-thuhet në njoftim./ZËRI