
KURBIN- Reshjet e shiut gjatë natës së kaluar kanë përmbytur disa dhjetëra hektarë tokë bujqësore në zonën e Kurbinit. Shkaku kryesor i këtij fenomeni është mospastrimi i kanaleve kulluese, sipas banorëve të fshatit Fushë-Milot dhe fshatit Lap, pranë autostradës. Siç kanë deklaruar fermerët, kjo situatë përsëritet çdo vit, por asnjëherë nuk dëmshpërblehen.
“Kam një metër ujë në arë, apel i kam bërë Perfekti e nënperfektit. Komplet ajo zonë është e mbytur me ujë, ta dijë qeveria. Emergjencat Civile të shohin familjet që kanë nevojë. S’pyet kush për ne!”, ka thënë njëri prej tyre.
“Kanali ka 20 vite që s’është pastruar. Jemi dhe pa drita prej tre ditësh, kemi shkuar 10,15 herë në bashki…por nuk pyet njeri”, ka shtuar një banor tjetër.
Një familje në Fushë-Milot jeton në kushte mjaft të vështira me banesën e dëmtuar nga tërmeti. E moshuara e cila jeton me burrin e sëmurë, i bën thirrje qeverisë që ta ndihmojë të strehohet.
“Kam shku në këmbë te Majlinda Cara. Pasha Zotin kam 4 vite kështu, kam ardhur me mijëra herë për t’u ankuar, asgjë s’është bërë. Nana s’ka shoqëri, asgjë. Fondet s’kanë ardhur, asnjë përgjigje s’më japin te bashkia! Mbrëmë kam fjetur në shi, s’i s’paska dhimbje shteti për dy të moshuar. I bëj thirrje shtetit ta ndihmojnë këtë nënë, po kërkoj shtëpi, jo vilë! Sa me më strehu”, tha e përlotur e moshuara për Klan.Tv.
Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë probleme edhe për jugun e vendit. Qindra hektarë tokë bujqësore janë nën pushtetin e ujit në njësinë administrative Dushk, Golem, Grabjan gjithashtu dhe buzë lumit Seman në Imshtë njësia administrative Bubullimë./ZËRI