SPAÇ- Sot shënohet dita e 12-të e protestës së minatorëve të minierës së bakrit në Spaç, të cilët kërkojnë kushte më të mira pune, nënshkrimin e kontratës kolektive dhe njohjen zyrtare të sindikatës së tyre nga kompania turke “TETE Albania”.
Rreth 70 minatorë janë mbledhur para hyrjes kryesore të kompanisë për të vazhduar grevën e tyre, e cila ishte paralajmëruar disa ditë më parë dhe do të vazhdojë deri në një reagim nga kompania turke. “TETE Albania”, që administron minierën, nuk ka dhënë ende asnjë sinjal për dialog me përfaqësuesit e sindikatës, të cilët janë shprehur se kompania po hakmerret me shkarkime kolektive të padrejta ndaj punëtorëve.
Kompania ka refuzuar të ulet në bisedime me sindikatën, duke argumentuar se ajo nuk plotëson kriteret ligjore. Ndërkohë, minatorët e konsiderojnë këtë qëndrim si të paligjshëm dhe theksojnë se janë në të drejtën e tyre për të protestuar. Greva, sipas tyre, do të vazhdojë derisa të arrihet një marrëveshje për dialog me kompaninë turke./ZËRI
