Aktualitet

Historia e skandalit të diplomave, përse heshtin autoritetet shqiptare dhe korruptimi i zyrtarëve

Në krye të skemës me diploma që ‘përmbytën’ tregun italian qëndronte çifti i i të sapomartuarve Savino Cianci dhe gruaja e tij Lucia Catalano, të cilët duke përfituar nga lidhjet që kishin në Shqipëri dhe në Itali, morën drejtimin e Universitetit me premtimin që do ta shndërronin në një qendër të mësimdhënies, për të gjithë studentët e ekselencës në Ballkan.

F.m
Historia e skandalit të diplomave, përse heshtin autoritetet shqiptare
Evis Kushi, Ogerta Manastirliu, Savino Cianci dhe gruaja e tij Lucia Catalano

TIRANË- Një skandal ka përfshirë sistemin arsimor në Shqipëri e ka zanafillën në Kolegjin Universitar në Tiranë! Gjithçka u sinjalizua nga mediat italiane që raportuan se dy administratorët e kolegjit në Tiranë, kanë ngritur një skemë mashtrimi, ku shpërndanin diploma false për studentët në Itali, kundrejt pagesave që varionin nga 6 mijë deri në 20 mijë euro, në varësi të degës së specializimit, që kërkohej nga ana e përfituesve. 

Në krye të skemës me diploma që ‘përmbytën’ tregun italian qëndronte çifti i i të sapomartuarve Savino Cianci dhe gruaja e tij Lucia Catalano, të cilët duke përfituar nga lidhjet që kishin në Shqipëri dhe në Itali, morën drejtimin e Universitetit me premtimin që do ta shndërronin në një qendër të mësimdhënies, për të gjithë studentët e ekselencës në Ballkan.

Por përgjimet e Guardia Di Finanza, falë një komenti dhe dëshmive të të gjithë atyre që kishin blerë diploma false, një prej tyre dhe një mësuesi, zbuluan se në fakt ajo që po ndodhte në vendin tonë ishte një skemë mashtrimi dhe shitje diplomash

Si u zbulua skandali?

Mjaftoi një koment në rrjetet sociale, më konkretisht në faqen "Formamentis Albania", një kompani e cila çoi hetuesit tek dyshja Lucia Catalano dhe Savino Cianci.

Në koment shkruhej: Jeni mashtrues!

Ky koment ka sjellë shqetësime tek çifti që administronin institucionin në fjalë dhe përgjimet kanë zbuluar se Catalano dhe Cianci kërkuan menjëherë fshirjen e komentit. Kështu, hetuesit bënë lidhjen se edhe personi në fjalë ishte "viktimë" e mashtrimit me titujt që jepeshin nga Kolegji.

Por nuk ishte i vetmi!

Gazetari i "Corriere", Pablo Petrasso ka zbuluar rrëfimin e një mësuesi 48-vjeçar, i cili ishte futur në Kolegj për të pasuruar "CV-në" e tij.

"Kam dhënë mësim në një institut në Altamura, pastaj më pushuan nga puna. Drejtori më tha se certifikata që kam është e rreme,”-tha ai.

Të gjithë të mashtruarit kishin hapur një grup në Facebook (Uniforma gruppo truffati) dhe aty ngrinin dyshimet mbi veprimtarinë që ushtronte ky universitet dhe rrëfenin historinë e tyre.

Zemërimi bëri që të niste përgjimi i administratorve që përfunduan pas hekurave bashkë me të përfshirët e tjerë. Gjithashtu janë sekuestruar dhe 10 milionë euro pasuri që ishte ndarë mes të prangosurve. Bashkëpunëtorët janë identifikuar si:  Maria Saveria Modaffari, Giada Fortunata Modaffari, Maria Ornella Attisano, Leonardo Catalano, Marco Lombardi, Antonio Caporale dhe Maria M’Daraa.

Gazetarja Aranita Brahaj ka shkruar se skandali nuk është ndalur vetëm me diplomat false, por madje kanë votuar edhe mbi kandidatët potencial për Institucione të Larta të Drejtësisë KLGJ dhe KLP.

Reagimet

Ish-ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar dhe ka mohuar se ka marrë dhurata nga pronari, apo nga administratori i kolegjit. Në mbrojtje të saj, Kushi thekson se Ministria e Arsimit nuk është pjesë e procesit të akreditimit të universiteteve pasi, akredimi bëhet nga një bord i pavarur ekspertësh, vendas dhe të huaj.

Ministria e Arsimit ka lajmëruar se ka nisur procedurat për mbylljen e Kolegjit Universitar pas skandalit për shitjen e diplomave false në Itali. Pas publikimit të lajmit nga mediat italiane, të cilat publikuan edhe një pjesë të dosjes, MAS pretendon se që në vitin 2022 ka nisur procesin e verifikimit të pajtueshmërisë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi të Kolegjit Universitar "Wisdom". Ndër të tjera në reagimin zyrtar, MAS njofton se po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të Kolegjit. Madje, theksohet se për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka pasur kuota pranimi.

Të njëjtën deklaratë e "përforcoi" edhe ministrja Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj në emisionin "Opinion". Ministrja theksoi se ka pasur një grup pune kontrolli të këtij insititucioni arsimor që nga viti 2019 dhe janë konstatuar një sërë shkeljesh.

"Në gjithë këtë infrastrukturën e re të arsimit të lartë ne kemi tashmë institucione që akreditojnë programet e studimit, kolegjet, universitetet, që janë të pavarura nga Ministria, por vetë Ministria vlerëson periodikisht aktivitetin e tyre. Në Dhjetor 2023, në vijim të verifikimit të ligjshmërisë ka filluar për 12 institucione publike dhe private pikërisht inspektimi i ligjshmërisë. Për këtë institucion masat janë marrë. Grupi i punës që ka qenë në kontroll përgjatë gjithë këtyre muajve ka arritur në përfundimin se rekomandimi është mbylja e këtij institucioni. Kemi marrë masat që në Korrik! Kemi raportin e grupit të punës. Janë një seri shkeljesh përgjatë viteve që është ushtruar ky kontroll. Kemi konstatuar disa elementë të programit të studimit të pamiratuara nga Ministria, ka konstatuar regjistra themeltarë sepse tani po bëjmë një reformë totale për sistemin online të numrit të amzave, këto regjistra kanë pasur problematika që janë zbardhur. Është punuar për një periudhë nga viti 2019 deri në 2022-in për këtë institucion dhe të tjera. Jo vetëm që janë kontastuar dhe jemi në procedurat e mbylljes, ne në Korrik nuk u kemi akorduar apo çertifikuar kuota për hapjen e tij,"-tha Manastirliu.

Të ardhurat e paligjshme u përllogaritën në rreth 10 milionë euro, që më pas ishin riinvestuar në blerjen e pasurive të paluajtshme apo mjete luksoze si Maserati. 

 

Poll

MOS HUMB