Aktualitet

Fishekzjarrët, tmerri i mesnatës!

Tashmë është kthyer ritual që çdo ditëlindje pritet me fishekzjarre sapo akrepat e orës bashkohen në numrin 12.

k.m.
Fishekzjarrët, tmerri i mesnatës!
Foto ilustruese

TIRANË- Ora 00.00 nuk shënon vetëm nisjen e një dite të re, por tmerrin që duhet të përjetojnë të gjithë qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm. Për disa sekonda (kjo në rastin më të mirë), e thuajse çdo ditë, qytetarët duhet të durojnë festimet e fqinjëve të tyre që modestinë dhe thjeshtësinë nuk e kanë si objektiv.

Tashmë është kthyer ritual që çdo ditëlindje pritet me fishekzjarre sapo akrepat e orës bashkohen në numrin 12. Ndoshta për ata që festojnë kjo sjell gëzim, apo edhe ekzaltim, ndërsa për të tjerët asgjë më shumë se shqetësim. E mbi të gjitha shkelje të ligjit!

“Kushdo që shkakton zhurma në zona të banuara, kryesisht me hedhje fishekzjarrësh në mesnatë, do të gjobitet, e madje nëse janë biznese, do rrezikojnë të mbyllen,”-kështu u premtua 1 vit më parë. Për shkak se fenomeni ishte kthyer në problem, tri ministri lidhën një marrëveshje për të zhdukur fenomen e fishekzjarreve. I takonte Policisë së Rendit që të ushtronte kontrolle dhe të gjobiste të gjithë ata që shkelnin ligjin, por nuk ia kanë dalë. Edhe kjo nismë, ndoshta si shumë të tjera është lënë rrugës.

Për fenomenin foli asokohe edhe tashmë ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

“Duhet të përfundojë dhe të zbatohet në mënyrë të rreptë rregulli nga Policia e Shtetit praktika e hedhjes së fishekzjarrëve në orët e vona të natës nga persona të papërgjegjshëm, që festojnë festa private familjare, duke prishur gjumin dhe qetësinë e natës të një qyteti të tërë,”-shprehej vjet ish-ministri, i cili është pikërisht një nga ata persona që ka shkelur ligjin që e ka firmosur vetë.

Disa javë pas shkarkimit si Ministër i Brendshëm, Balla postoi një video në rrjetet e tij sociale ku tregonte festimet për ditëlindjen e mikut të tij, aktorit Elson Bajrakurtaj. Si e festuan? Me fishekzjarre!


Madje e filmuan të gjithë skenën dhe spektaklin në qiell duke e postuar më pas në rrjetet sociale. Për disa çaste Balla duket se harroi se për një vit mbajti detyrën e ministrit të Brendshëm dhe këmbënguli pikërisht për të zhdukur këtë fenomen që më pas e promovoi vetë.

Që Policia e Rendit nuk ka shkuar për të shqetësuar festën e ish-ministrit, kjo është e qartë. Po aq sa është e qartë që ky fenomen vazhdon edhe pse është i ndaluar me ligj.

Por si po veprohet? A shkon “Rendi” për kontrolle në zonat ku hidhen fishekzjarrë? Nëse po, si veprohet? Ku tregtohen këto mjete piroteknike që edhe njëherë e ritheksojmë; janë të ndaluara me ligj! Kontrollohen subjektet që e shesin? Përgjigjia për të gjitha këto pyetje duket se është “JO”.

Edhe kjo marrëveshje që u trumpetua ka mbetur në një cep, e pluhurosur. Kështu që, duket se derisa të hyjë në “trend” ndonjë festim i ri, çdo mesnatë do të kemi një “rikujtestë” se si mund të ketë qenë një natë e zakonshme në vitin e largët 1997!/ZËRI

Poll

MOS HUMB