
TIRANË- Sot u vu në pranga, por pas emrit të Xhevdet Plakut fshihet një histori që daton që në vitin 2004. Në 21 vite, i njohur me emrin “Akili” ka bërë një karrierë mjaft të gjatë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe në shpinën e tij nuk mungojnë as akuzat për vrasje.
Por kush është Xhevdet Plaku?
Xhevdet Plaku, i njohur me nofkën "Akili", ka qenë shënjestra e Rexhep Arapit për ta ekzekutuar. Për vrasjen e shqiptarit që kishte plot 25 identitete kishte ndërhyrë edhe ish-shefi i Komisariatit të Shijakut, Dedan Gjoni. Por ende nuk dihet se përse donte "Kap Arapi" që të eliminonte Plakun, i cili cilësohet si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilin e drejtonte nga Amsterdami.
Bazuar në hetimet e agjensive të huaja, pakove të drogës u vinte emri luksi sipas markave të njohura të modës, në bazë të cilësisë së mallit. Kokaina më e pastër e quante ‘Hermes’, pastaj vinin ‘Lacoste’, ‘G4’, ‘Rolls Royce’ e ‘Playboy’.
Një nga përgjimet e kryera nga hetuesit çuan në zbulimin e kartelit shqiptar që importonte nga Holanda e Belgjika në Brescia tonelata droge.
Në 153 faqet e dosjes ku doli edhe emri i Plakut, janë dokumentuar biseda që provojnë fuqinë kriminale të grupit, si për shembull një frazë e regjistruar në mars 2016: Ky lloj pazari bëhet nga 10 kilogram e lart. Është e fortë? Nuk thërrmohet? Nuk është Hermes, por është e mirë.
Por kjo nuk ishte ngjarja e parë për të cilën hetohej...
Plaku ishte ekstraduar nga Italia në Shqipëri për shkak se dyshohej se ishte autori i vrasjes së Saimir Sinës më 11 qershor të vitit 2004, ngjarje për të cilën, fillimisht u dënua me 21 vjet e 6 muaj burg. Vrasja ndodhi në lagjen Nr.15, në zonën e Spitallës, e gjitha pasi Sina duke e ditur se Plaku kishte të dashur shtetasen Nertila K., e duke përfituar dhe nga njohja personale me këtë vajzë, i kishte propozuar për ta çuar në mënyrë ilegale në Itali, me qëllim për ta bashkuar me të dashurin.
Vajza e kishte pranuar këtë propozim dhe, në muajin korrik të vitit 2001, Sina, së bashku me një person tjetër, e kanë çuar Nertilën në Itali, duke ndryshuar destinacionin për të cilin ranë dakord. Vajzën e dërguan në Romë, ku edhe e kishin detyruar forcërisht që të ushtronte prostitucion për llogari të tyre. Megjithatë e reja ia ka dalë që të rikthehet në Shqipëri, në dhjetor të vitit 2001 dhe ka paraqitur kallëzim penal për ngjarjen e mësipërme.
Për trafikimin e të resë, Gjykata e Durrësit dënoi me 1 vit e 6 muaj Saimir Sinën, ndërsa Plaku ku ka marrë vesh se çfarë ndodhi me të dashurën e tij vendosi që të merrte hak. Sinën e kishte mbajtur në vëzhgim dhe vetëm 3 ditë pasi kishte dalë burgu e qëlloi për vdekje pranë banesës së tij në Spitallë të Durrësit.
22-vjeçari Saimir Sina, u qëllua me tre plumba nga të cilët gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa dëshmitarë të vrasjes kanë qenë të gjithë familjarët e viktimës, madje dhe vajza e tij e mitur.
Gati 10 vjet pas ngjarjes, pas proceseve të shumta gjyqësore, më 22 shkurt 2013 Plaku u lirua për mungesë provash. Më pas, u largua nga vendi drejt Holandës, atje ku ngriti "perandorinë" e tij të trafikut të drogës.
Por, Plaku u vu në pranga dhe u ekstradua në Itali. Aty u arratis nga burgu Barcagliones në janar të këtij viti. 45-vjeçari ia kishte dalë që të rikthehej në Shqipëri dhe mbrëmjen e djeshme, po darkonte në një restorant në Gjirin e Lalëzit, ku u surprizua nga forcat “RENEA” dhe u vu në pranga./ZËRI/