
PEQIN- Neim Avdulaj, i cili është dënuar me 17 vite burg për grabitjen e armatosur të blindave që po transportonin 3.2 milionë eurove në Kashar, është futur në regjimin 41-Biss. Avdulaj do të qëndrojë në regjimin 41Biss në Peqin për një vit. Vendimi është marrë në kuadër të masave për sigurinë dhe mbajtjen nën kontroll të të dënuarve me rrezikshmëri të lartë. Futja e tij në 41 Biss është bazuar në dënimin e tij prej 17 vite dhe 4 muaj burg.
Ai u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, në 2019, dhe vendimi u la në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në 2021. Ai u shpall fajtor për tre veprat penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer më shumë se një herë, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit,” kryer në mënyrë të përsëritur, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Më 9 shkurt të vitit 2017 u grabitën 3.2 milionë euro në Kashar, nga një grup i strukturuar kriminal që drejtohej nga Admir Murataj alias Admir Nikaj i cili u vra pas grabitjes. Avdulaj në atë kohë 28 vjecc, ishte efektivi i forcave komando, mori rolin e ndërmjetësit mes informatorëve të transportit të parave të bankës dhe grabitësve. Para gjykatës, Avdulaj pranoi se paratë e fituara nga grabitja ai i harxhoi në kazino. /ZËRI