
TIRANË- Në Mezës të Tiranës është zbuluar vatra e parë e gripit të shpendëve H5N1. Ferma e shpendëve është mbyllur nga Ministria e Drejtësisë për të parandaluar përhapjen e virusit. Gjithashtu Instituti i Shëndetit Publik është njoftuar për të kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e rrezikut tek njerëzit.
Ndërkohë prej datës 30 tetor, fermerëve iu ndalua lëvizja e shpendëve nga fermat e zonave të Bashkive: Tiranë, Vorë dhe Kamëz. Gjithashtu është ndaluar edhe shitja apo tregtimi i shpendëve të gjallë nëpër tregje. Gripi i shpendëve u zbulua pasi si fillim në këtë fermë, në pronësi të Irakli Nelës ngordhën dy pula fushe, por pas analizave të kryera u zbulua se ato ishin infektuar me virusin H5N1. Si masë parandaluese, fermerët asgjësuan pulat e tjera të fermës duke i groposur ato.
Ministria e Bujqësisë si pjesë të masave mbrojtjëse ka ndaluar importin e shpendëve nga Bullgaria, Italia, Polonia, Hungaria, Sllovakia, Çekia dhe Suedia. Si plan të masave mbrojtëse është ndaluar importi ose tranzitimi i shpendëve të gjallë, zogjve 24- orësh, shpendëve dekorativë, materialit biologjik të shpendëve, vezëve të shpendëve, mishit të shpendëve të pa trajtuar termikisht, nënprodukteve të shpendëve të pa trajtuar termikisht drejt vendit tonë.
Profesori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Xhelil Koleci tha se duhet të rritet shkalla e vigjilencës dhe të merren masat kufizuese në tregtimin e shpendëve.
“Duhet të rritet shkalla e vigjilencës të zbulohen rastet, të merren masat të vendosen masa kufizuese në tregtimin e tyre por të gjurmohet edhe shëndeti i njeriut i cili ka një shkallë të ulët të kalimit tek njeriu. Ministria e Bujqësisë merr një sërë masash duke marrë parasysh sesi duhet të izolohet. Por është sëmundje e parandalueshme. Risku i shpërthimeve ekziston por ndalohet nëpërmjet masave të biosigurisë. Dallohet nëse preken shpendët shohin prodhim të ulët apo fillojnë ngordhin më shumë se zakonisht. Por duhet njoftuar mjeku veterinar që të izolohet vatra që të bëhet eliminimi i krerëve. Për të mbrojtur më shumë edhe komplekset sepse transmetohet nga shpendët e egra”, tha Koleci.
Gripi i shpendëve, është një infeksion viral që mund të infektojë jo vetëm zogjtë, por edhe njerëzit dhe kafshët e tjera. Shumica e formave të virusit janë të kufizuara te zogjtë. H5N1 është forma më e zakonshme e gripit të shpendëve. Është vdekjeprurëse për zogjtë dhe mund të prekë lehtësisht njerëzit dhe kafshët e tjera që vijnë në kontakt me një transportues të saj. /ZËRI