LUSHNJË-Janë publikuar pamjet nga atentati i ndodhur në Lushnjë, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi drejt automjetit të 45-vjeçarit Julian Sula. Policia ka sekuestruar kamerat e disa bizneseve të cilat kanë fokusuar momentin e gjuajtjes me armë.
Raportohet se dy persona kanë dalë nga makina të cilën e kanë parkuar në kthesën e rrugës 'Misto Mame'. Autorët shihen me maskë të zezë në fytyrë dhe kapele, ndërsa kanë dalë nga mjeti me kallashnikov në duar dhe kanë qëlluar drejt automjetit tip 'BMW', në të cilin ndodhej 'Juli i Pashakos'. Pas atentatit autorët u larguan drejt fshatit Lifat aty ku braktisën mjetin me targa greke dhe i vunë flakën.
Atentati ka zgjatur vetëm pak sekonda, ku 6 plumba kane prekur makinën e Sulës ndërsa një plumb e ka prekur në këmbë. 45-vjeçari ka arritur të shpëtojë, ku u largua menjëherë me shpejtësi drejt lokalin të tij në Karbunarë dhe më pas në shtëpi. Sula ka qëndruar disa minuta në banesë dhe më pas shkoi të mjekonte këmbën në spital.
Sa i përket ngjarjes, Sula ka deklaruar se nuk i njeh autorët dhe nuk ka konflikte me njeri. "Juli i Pashakos” nga të gjithë njihet si një nga kundërshtarët e betuar të Aldo Bares, pjesëtarit të bandës së Lushnjes. Pistat ku po hetohen janë disa duke nisur nga e kaluara e Julian Sulës në vitin 1997 e deri më sot, si lidhjet e tij me trafikun e drogës, dhe bizneset. /ZËRI
