TIRANË- Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja nga atentati pranë Rinasit, ku humb jetën Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Shaljani, agjent i AMP-së. Sipas gazetares atentati i ngjan një sulmi terroristi për nga mënyra se si ndodhi dhe vendi ku ndodhi, duke rrezikuar jetën e qytetarëve kalimtarë.
E ftuar në emisionin "Kjo Javë", Lala thotë se ishte një atentat i mirëplanifikuar, që nga informatori në Barcelonë, ndërsa thekson se ka nisur një hetim për përfshirjen e zyrtarëve shtetëror në këtë histori. Sipas Lalës, OSHEE ka njoftuar banorët që në atë datë se do të kishte remont në të gjithë zonën, zonë që ishte në black out total dhe aty ka shumë pak kamera sigurie që mund të ndihmonin hetimin.
Zona nga Nikla në afërsi të Aeroportit të Rinasit ka pasur mungesë të energjisë elektrike mesditën e 11 nëntorit, kohë që përkon me atentatin e ndodhur në drejtim të Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit.
"OSHEE ka njoftuar banorët që në këtë datë se do të kishte remont në të gjithë zonën, zonë që ishte në black out total dhe aty ka shumë pak kamera sigurie që mund të ndihmonin hetimin. Ishte vetëm kamera e një biznesi e sekuestruar, disa biznese të tjera dhe kamerat e Rinasit. Ka nisur një hetim për përfshirjen e zyrtarëve shtetëror në këtë histori," tha Klodiana Lala.
Gilmando Dani, mik dhe bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit u ekzekutua mesditën e 11 nëntorit me breshëri plumbash pranë aeroportit 'Nënë Tereza', teksa i plagosur rëndë ka mbetur edhe miku i tij, që e shoqëronte Muçi Shaljani Sheqeri, agjent i AMP-së. Ndaj automjetit të tyre 'Benz' u qëllua nga persona të paidentifikuar me një mjet tip “Toyota Yaris”, e cila u gjet e djegur pak minuta pas ngjarjes në Fushë Krujë. Autorët e maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, kanë qëlluar në drejtim të mjetit, duke e ndaluar atë në vend. Më pas, një prej autorëve ka zbritur nga makina, ka rimbushur armën dhe ka qëlluar sërish në drejtim të Gilmando Danit, i ulur në sediljen e pasagjerit.
Gilmando Dani sapo kishte mbërritur me mikun e tij në Shqipëri nga Barcelona, Spanjë. Të dy ishin nisur me avion drejt Barcelonës më 7 nëntor dhe kishin lënë makinën të parkuar në aeroport, ndërsa u kthyen nga Barcelona më 11 nëntor. Avioni me të cilin udhëtonte Dani zbriti në tokën shqiptare në orën 13:55, rreth 35 minuta para orarit të planifikuar. Atentati ka ndodhur 25 minuta më pas në rrethrrotullimin e Rinasi./ZËRI