
KORÇË- Bledar Trëndafili që dogji gruan e tij para një muaji në Korçë është arrestuar. 45-vjeçari u arrestua sot në qytetin e Korçës, ndërsa kishte një muaj që ishte në arrati. Mësohet se autori ka qëndruar i fshehur në zona të ndryshme të qarkut, ndërsa sot është kthyer në lagjen 4, atje ku u arrestua menjëherë nga policia.
"Ndalohet 45-vjeçari që tentoi të digjte me lëndë djegëse, bashkëshorten e tij, rreth 1 muaj më parë.
Në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, në bashkëpunim me sherbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim E. T., 45 vjeç.
Prokuroria e Korçës ka nxjerrë urdhër ndalimi për këtë shtetas, për veprën penale "Vrasja për shkak të mardhënieve familjare", mbetur në tentativë, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 31.08.2024, në lagjen nr. 2, Korçë, ku ky shtetas tentoi të digjte me lëndë djegëse benzinë, bashkëshorten e tij, shtetasen M. T.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Ngjarja ndodhi më 31 gusht, ku Bledar Trëndafili, 45 vjeç leu bashkëshorten e tij me benzinë. Dyshja jetonin të ndarë edhe pse nuk kishin nisur një proces divorci. Ditën e ngjarjes, Bledari u paraqit në banesën ku jetonte 31-vjeçarja Melisa Trëndafili dhe pas një debati me të, e ka lyer me benzinë dhe më pas i ka vënë flakën.
Ai u arratis menjëherë nga vendngjarja dhe policia e shpalli në kërkim. Ndërsa, 31-vjeçarja si fillim u paraqit në spitalin e Korçës me djegie të shumta në trup dhe më pas u nis drejt Tiranës, ku qëndroi e shtruar për disa javë. /ZËRI