
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg Loran Dushën, i cili u ekstradua të shtunën nga shteti i Zimbabveve. I arrestuari Dusha nuk ishte i pranishëm në seancën e së hënës, pasi është shtruar në spitalin e burgut për shkak të problemeve shëndetësore.
Dusha ishte në kërkim, pasi akuzohet nga SPAK për korrupsion e pastrim parash në lidhje me hetimet për ndërtimin e incineratorit të Fierit. Ai ka mbajtur postin e administratorit të inceneratorit të Fierit.
Hetimet zbuluan se Dusha, në rolin e administratorit, kishte përfituar në mënyrë të paligjshme fonde publike përmes faturave dhe pagesave fiktive për shërbime dhe punë të pakryera. Më 23 shtator të vitit 2023, GJKKO vendosi dënimin e tij me katër vite e tetë muaj burg. Por, një vit më vonë, Gjykata e Posaçme e Apelit ktheu për rigjykim dosjen me një trupë tjetër gjykuese, duke prishur në këtë mënyrë vendimin e Shkallës së Parë.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u dënua me 10 vite burg nga GJKKO për aferën e inceneratorit të Fierit, por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 6.8 vite burg. Po ashtu, GJKKO ka dënuar me 4 vite burg ish-deputetin socialist, Alqi Bllako, i cili me gjykim të shkurtuar do të vuajë 2 vite e 8 muaj, ndërsa Klodian Zoto, aksioneri kryesor i koncesionarit të këtij inceneratori, është dënuar me 12 vite burg, nga të cilat do të vuajë në qeli 8 vite. Ndërkohë, Gjykata e Posaçme ka vendosur të lirojë nga qelia, duke i shpallur të pafajshëm për akuzat e ngritura, zëvendëspresidentin e FSHF, Arben Dervishin, Arjola Kodrën dhe Juri Imerajn.
Me shërbim prove janë dënuar 5 nga të pandehurit, përkatësisht Gentian Zifla, Regan Merdani, Sabina Canameri, Azem Shateri, Florian Muça dhe Pëllumb Abeshi.
Hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën dhjetor 2022, prej ku sipas SPAK, rezultonte se për këtë incenerator janë paguar 4 milionë euro për punën që nuk është kryer, ndërkohë që zyrtarët e përfshirë në aferë i kishin shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prek 60 milionë lekë./ZËRI