
TIRANË-Teksa huadhënie për pushime apo udhëtime janë ofruar prej kohësh tashmë nga institucionet financiare jobanka, një prej tyre ka gjetur zgjidhjen edhe për dasmat, të cilat shqiptarët i bëjnë kryesisht në sezonin e verës. Iute duke marrë të mirëqenë se familjet shqiptare nuk kanë një ekonomi të mjaftusheme për të organizuar një dasmë ofron kredi deri në 600,000 lekë, duke u zgjidhur 'hallin' për ditën më të bukur të jetës.
Shqiptarët shpenzojnë mesatarisht nga 15,000 deri në 50,000 euro për një dasmë standarde, ndërsa shpenzimet në ceremonitë luksoze mund të arrijnë në vlera nga 250,000 deri në 1 milion euro për shkak të kërkesave të larta për dekor, muzikë dhe numër të madh të ftuarve.
Në faqet e rrjeteve sociale të Iute, thuhet se dita që shënon fillimin e saj meriton të jetë pikërisht ashtu siç e keni ëndërruar. Iute ofron për shqiptarët financim deri në 600,000 lekë me normë efektive të interesit deri në 35.21%.
Ky lloj marketingu nga institucionet financiare jobanka është një metodë agresive dhe një lloj abuzimi, duke përdorur ekonominë e shqiptarëve për t'i drejtuar drejt huadhënies. ZËRI prej vitit 2024 raportoi rastet e abuzimit dhe denoncimet e qytetarëve që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Pa asnjë filtër, këto institucione iu dhanë qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve.
Skandali i mikroredive është në hetim nga SPAK ku për gjykim janë dërguar 16 persona, si edhe 4 shoqëri financiare, konkretisht Micro Credit Albania, FINAL, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH. Prokuroria ka dalë në përfundimin se punonjës të këtyre kompanive, në bashkëpunim me përmbaruesit: kanë përdorur të dhënat personale të siguruara; presionin psikologjik dhe përndjekjen për të detyruar debitorët që të merrnin kredi të reja në këto institucione me principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta. Për t'i bindur, qytetarët i gënjenin se vetëm në këtë mënyrë do të shlyenin kredinë ekzistuese./ZËRI