VLORË- Ivanka Trump vijon të qëndrojë në Vlorë edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa prej paradites së djeshme mbërriti në Shqipëri, në kuadër të planeve të saj për të investuar në zonën e bregdetit. Vajza e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po zhvillon një tjetër vizitë në Manastirin e Zvërnecit dhe në zonën e Porto Novës.
Të mërkurën në mbrëmje, ajo zhvilloi një takim me Kryeministrin Edi Rama dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë. Në fokus të bisedimeve ishin projekte dhe ide të reja zhvillimi, të lidhura me investime strategjike dhe vizion urbanistik në zonën e Vlorës.
Pas darkës, Rama dhe Ivanka Trump qëndruan disa momente jashtë ambienteve ku u zhvillua takimi, duke shkëmbyer bisedë të shkurtër, ndërsa gjithçka është shoqëruar nga masa të rrepta sigurie.
Më pas, Ivanka Trump u larguar me automjet, së bashku me Kryeministrin Rama, në drejtim të Orikumit. Ndërkohë bashkëshorti i saj është pjesë e forumit Ekonomik të Davosit, që është duke u mbajtur në Zvicër, dhe ku është i pranishëm dhe vetë presidenti amerikan./ZËRI
