TIRANË- Gjykata e Tiranës vendosi masën "arrest me burg" për 40-vjeçarin Ngushëllim Manzi, i cili vrau dy vëllezërit Islamaj në Kamëz. Mësohet se gjatë dëshmisë, autori ka shprehur pendesë për krimin, por në gjykatë nuk ka folur për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.
Megjithatë, nëpërmjet avokatit të tij, 40-vjeçari ka rrëfyer se kishte kryer krimin për shkak se 3 vëllezërit Islamaj kanë dhunuar me sende të forta familjarët e tij. Sipas dëshmisë së tij, kjo ka çuar në agravim të situatës dhe më pas ai ka marrë armën pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të 3 vëllezërve.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e të hënës, 19 tetor, në rrugën ‘Petrela’, në afërsi të repartit ushtarak të Zall Herrit. Nga të shtënat ndërroi jetë në vend Selam Islamaj, ndërsa Nazmi Islamaj u transportua me urgjencë drejt spitalit por rrugës humbi jetën për shkak të hemorragjisë. Me një plumb në gjoks, në gjendje kritike për jetën ndodhet vëllai tjetër 44 vjeçar, Shefqet Islamaj, i cili po trajtohet në spitalin e Traumës./ZËRI