Aktualitet

Shqipëria kërkon ekstradimin e Ermal Beqirit, biznesmeni synon lirinë dhe qëndrimin në Francë

Mbrojtja ka kërkuar që Beqiri të vendoset nën mbikëqyrje elektronike, por Prokuroria e Përgjithshme e Francës ka kundërshtuar kërkesën

F.I
Shqipëria kërkon ekstradimin e Ermal Beqirit, biznesmeni synon
Ermal Beqiri

TIRANË-Mediat franceze kanë ndarë detaje lidhur me procesin gjyqësor të biznesmenit Ermal Beqiri në Amiens. Beqiri, i cili ndodhet në qelitë e parabugimit në Francë dhe kërkohet nga drejtësia shqiptare, ka kërkuar sërish lirimin e tij përpara dhomës së hetimeve të Gjykatës së Apelit. Vendimi për kërkesën e tij pritet të jepet të premten (23 tetor). Në artikullin e gazetës Courrier Picard thuhet se biznesmeni shqiptar kërkon të qëndrojë në Francë.

Avokati i tij, Nicolas Paganelli, është shprehur se: “Zoti Beqiri duke qenë se e dinte se kërkohej nga autoritetet shqiptare, nuk është larguar nga banesa e tij dhe është vënë në dispozicion të drejtësisë franceze. Nuk ka asnjë arsye që të jetë në burg sot.”

Mbrojtja ka kërkuar që Beqiri të vendoset nën mbikëqyrje elektronike, por Prokuroria e Përgjithshme e Francës ka kundërshtuar kërkesën. Sipas prokurores së Përgjithshme, mbikëqyrja elektronike do t’i mundësonte biznesmenit të kontaktonte me persona të tjerë dhe “të organizonte gjëra”.

Beqiri në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për skandalin e tenderave të AKSHI-t u arrestua në korrik nga forcat ajrore franceze, pasi u konstatua duke pilotuar një avion të vogël mbi centralin bërthamor në Penly në Seine-Maritime. Lidhur me shkeljen ai u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh. TEksa biznesmeni ndohet në qeli në Francë, Ministria e Drejtësisë Shqiptare ka njoftuar zyrtarisht se i ka përcjellë dokumentacionin për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiraj autoriteteve franceze.

Në njoftimin zyrtar për arrestimin e Beqirit, SPAK bëri me dije se hetimet e zhvilluara në Francë zbuluan pasuri të dyshuara me origjinë kriminale, ndërsa kontrollet dhe verifikimet financiare do të vijojnë edhe për identifikimin e aseteve të tjera. Konkretisht bëhet fjalë për një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, llogari bankare, apartamente dhe mjete motorike.

ZËRI ndau pamje nga kështjella 'Château d'Auteuil', një rezidencë e ndërtuar në shekullin XVI, e cila raportohet se ka përfituar gjithashtu fonde nga Bashkimi Evropian dhe autoritetet lokale franceze për restaurimin dhe zhvillimin e saj si destinacion turistik, ndërsa është përfshirë edhe në guidat e Figaro Magazine si një nga rezidencat historike të rekomanduara për akomodim në Francë.

Në Shqipëri janë sekuestruar një sërë pasurish, mes tyre prona në Green Coast në Vlorë, pasuri në zonën e "Hoxha Tasim" dhe Rolling Hills në Tiranë, një apartament në Golem, jahti "Skyfall", disa automjete, llogari bankare, si edhe aksione në shoqëri tregtare./ZËRI

Poll

MOS HUMB