
TIRANË- Nis gjykimi në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pengmarrjen dhe vrasjen e Jani Prengës. Sot në Apelin e GJKKO-së, prokurorja e çështjes, Elida Kaçkini, kërkoi shtyrjen e gjykimit duke paraqitur një kërkesë të re për pranimin e provave shtesë, të siguruara përmes letërporosive nga autoritetet franceze. Sipas saj, tek provat e reja që kanë ardhur nga Franca, në fokus janë komunikimet e koduara përmes aplikacionit SKY ECC mes të pandehurve kryesorë, përfshirë Dritan Rexhepin, Altin Hajrin dhe Gentjan Funiqin. Po sipas SPAK, këto komunikime janë të lidhura drejtpërdrejt me rrëmbimin dhe vdekjen e Jan Prengës. Në seancë, avokati i Festim Bixhdilit, kopshtarit në kompleksin ku u zhduk Jan Prenga, kundërshtoi provat e reja me pretendimin se ato nuk duhet të pranohen në këtë fazë të procesit. Megjithatë, provat janë pranuar dhe Gjykata i ka lënë kohë palës mbrojtëse që të njihet me provat e reja. Kështu seanca e radhës është lënë për në datën 13 maj.
BISEDA NË SALLË:
Prokurorja Elida Kaçkini: Kemi një kërkesë tjetër, duke qenë se në kuadër të procedimit penal 62/3, 2022 janë kthyer përgjigje dhe janë dërguar letërporosi. Konkretisht komunikimet SKY mes të pandehurve, proces që po ndiqet edhe në GJKKO. Janë në interes të këtij procesi, referuar edhe vendimit të GJL për rikthimin e çështjes këtu. Është kryer procesverbali i identifikimit të PIN të Dritan Rexhepit, Gentjan Funiqit, Altin Hajrit. Komunikimet lidhen me ngjarjen për të cilën akuzohet dhe Festim Bexhili. Ne vlerësojmë se këto komunikime janë në interes të këtij procesi. Janë marrë akte, 75/2022 është marrë praktika përkatëse për ndihmë juridike autoriteteve franceze për Dritan Rexhepin. Është marrë dhe letërporosia për të pandehurin Altin Hajri, i bashkëpandehur në një gjykim në GJKKO. Dhe njëkohësisht është marrë edhe praktika që është dërguar nga autoritetet franceze, që tregon mënyrën se si janë marrë komunikimet SKY dhe janë bërë pjesë e procesit. Pra, mënyra e ndërhyrjes për marrjen e komunikimeve. Janë komunikime që janë marrë konform rregullave. Aktet i kemi të listuara, informacion shtesë mbi hetimet e kryera për rrëmbimin me pasojë vdekjen e Jan Prengës më 17 janar 2020, në Kamëz. Komunikime SKY ECC mes Dritan Rexhepit dhe të tjerëve për rrëmbimin e këtij shtetasi. Komunikimet e Altin Hajrit, Gentjan Funiqit dhe shkresa që janë dërguar nga Ministria e Drejtësisë për marrjen e akteve.
Av. Ilir Murati: Kërkohet rihapje tjetër, me sa kuptuam, për të paraqitur prova të reja. Në bindjen time, nuk duhet të pranohen provat. Nëse ka mundësi Prokuroria të na thotë nëse do të ketë prova të tjera në seancën e radhës apo jo.
Behar Dibra: Kjo është kërkesë vazhduese.
Gjyqtari: Gjykata pranon kërkesën e avokatëve për t’u njohur me aktet e prokurorisë. Seanca e radhës do të mbahet më 13 maj, ora 09:00.
Vrasja e Prengës erdhi pas vjedhjes së 260 kg kokainë nga vëllai i viktimës në Portin e Portsmuthit. Kokaina u vodh nga Astrit Prenga, Gëzim Shullani, Xhuliano nga Shkodra dhe një rumun. Pronarët morën hakun në Shqipëri! Fillimisht u vu në pranga tetë persona, kryesisht anëtarë të familjes Hajri, por ata u liruan një e nga një.
Për gjykim u dërguan: Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta e Korado Kështeja. Gjithashtu të pandehur janë marrë Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, SPAK pretendon se Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) kanë urdhëruar rrëmbimin, ndërsa organizimi është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja. Rrëmbimi është bërë në Shqipëri në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.
Edhe sot, trupi i Jani Prengës nuk është gjendur akoma.../ZËRI