TIRANË-Mosmarrëveshjet mes gjyqtarëve dhe qeverisë janë thelluar, përtej debatit lidhur me pagat e magjistratëve. WebLajm.com ka siguruar një padi të Gjykatës së Tiranës në Kushtetuese, ndaj qeverisë lidhur me ligjin e pensioneve. Gjykata shprehet se ligji është antikushtetues.
Me ligjin aktual mosha e daljes për burrat, përfshi edhe gjyqtarët burra, është 65 vjeç. Ndërsa për gratë, përfshi gjyqtaret gra, është 60 vjeç. Ky kushtëzim dhe diferencim në ligj, sipas Gjykatës së Shkallës së Parë të kryeqytetit, është antikushtetues dhe duhet të shfuqizohet.

Ankimi në Gjykatë Kushtetuese:
17 11 (Gj) 14.09.2026 Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
Të shfuqizojë përcaktimin në tabelën përkatëse në vijim të nenit 92 të ligjit nr. 7703, të datës 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për vitin 2023, për punonjësit e administratës publike, ku konkretisht rezulton se ligji bën diferencim në lidhje me moshën e daljes në pension midis burrave dhe grave, pasi për burrat përcaktohet se mosha e daljes në pension është 65 vjeç, ndërsa për gratë përcaktohet se mosha e daljes në pension është 60 vjeç, pasi vjen në kundërshtim me nenet 17, 18 të Kushtetutës dhe me nenet 14 dhe 1 të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.