TIRANË- Shqipëria është drejt ndryshimit të numrit të bashkive, ku mes dy projektligjeve për Reformën Territorale, në parim u miratua në Komisionin e Ligjeve me 8 vota pro dhe 5 kundër propozimi i Partisë Socialiste. Por çfarë do të ndodhë me numrin e bashkive në vend, nëse Kuvendi miraton projektligjin e mazhorancës.
Projekligji i PS synon të ketë më pak bashki, por me territore më të mëdha, ku brenda tyre do të ketë qytete dhe njësi administrative që do të menaxhojnë më afër shërbimet për banorët. Sipas draftit, propozohet bashkimi i 15 bashkive:
-Fushë-Arrëz + Pukë → Bashkia Pukë
-Klos + Mat → Bashkia Mat
-Rrogozhinë + Kavajë → Bashkia Kavajë
-Dimal + Berat + Poliçan → Bashkia Berat
-Patos + Fier → Bashkia Fier
-Divjakë + Lushnjë → Bashkia Lushnjë
-Selenicë + Vlorë → Bashkia Vlorë
-Maliq + Korçë → Bashkia Korçë
-Këlcyrë + Përmet → Bashkia Përmet
-Memaliaj + Tepelenë → Bashkia Tepelenë
-Libohovë + Gjirokastër → Bashkia Gjirokastër
-Cërrik + Elbasan + Belsh → Bashkia Elbasan
-Prrenjas + Librazhd → Bashkia Librazhd
Ky bashkim do të thotë që Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, nuk do të jenë më bashki më vete, dhe nga 61 bashki në vend, numri ulet automatikisht në 46. Nga të 15-ta bashkitë, vetëm Këshilli Bashkiak i Librazhdit votoi pro bashkimit të bashkive Prrenjas dhe Librazhd.
Për miratimin e reformës në Kuvend nevojiten 84 vota./ZËRI