
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka përsëritur disa herë publikisht se një person, në kushtet e anonimatit ka dërguar në BKH një foto të Olsi Ramës me Genti Xhixhën. Në të gjitha dënoncimet e tij publike lidhur me këtë rast, Berisha thotë se në SPAK ka mbërritur një letër e nënshkruar nga një person i quajtur Zaho Koka. Po sipas kryedemokratit, ku person ka dhënë informacione duke pretenduar implikimin e vëllait të kryeministrit, Olsi Rama në dosjen e Xibrakës.
Por sot, ka pasur një përgënjeshtrim zyrtar nga SPAK. Me anë të një reagimi për mediat, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sqaruar se një javë më parë, më 13 janar, Altin Dumani ka kërkuar përmes një shkrese që Byroja Kombëtare e Hetimit të verifikojë nëse ka pranuar ndonjë informacion nga shtetasi Zaho Koka. Përgjigjia ka qenë negative. Në BKH nuk ka shkuar asnjë letër, kallëzim apo denoncim nga i ashtuquajturi Zaho Koka.
Pas sqarimit nga SPAK ka pasur edhe një kundërpërgjigje nga kryetari i Partisë Demokratike. Edhe njëherë Berisha ka përsëritur akuzat se SPAK është i lidhur me kryeministrin Edi Rama. Por ka edhe një thirrje. Kryedemokrati kërkon që të gjithë ata që kanë një denoncim për të bërë, të mos shkojnë pranë SPAK, por t'ja dërojnë opozitës për t'i publikuar.
Njoftimi i SPAK:
“Nisur nga deklarata e bërë në media, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Z. Altin Dumani i është drejtuar Drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) përmes një shkresë më dt. 13.01.2025, për të bërë verifikimet e nevojshme, nëse është dërguar në BKH ndonjë shkresë nga shtetasi i përmendur si Zaho Koka, ku jepet informacion për shtetasin Ols Rama, si edhe rrëmbimin e një biznesmeni me inicialet V.B. Përmes kësaj shkresë, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Z.Altin Dumani ka kërkuar nëse është dërguar një informacion i tillë, është rregjistruar apo caktuar ndonjë hetues i BKH-së (cili prej tyre) dhe nëse është bërë verifikimi i tij. Z.Dumani ka kërkuar gjithashtu të informohet nëse kanë përfunduar verifikimet e kryera dhe cila është procedura. Më datë, 14.01.2025, Drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit, përmes një shkresë sqaroi se: Nga verifikimet e kryera në Sekretari,Protokoll rezulton se në Byronë Kombëtare të Hetimit nuk ka ardhur letër, kallëzim apo denoncim nga shtetasi i pretenduar si Zaho Koka.
REAGIMI I BERISHËS:
Sot, pasi denoncova para ‘SKRAP-it të Partisë’ fshehjet e krimit të Olsi Xibrakës, mashtrimin e tij publik duke deklaruar se kishte udhëtuar vetëm një herë me makinën e udhëtimit të drejtuesve të grupit të Xibrakës, ndërkohë që me dokumenta zyrtare faktohet se Olsi Rama ka përdorur makinën e drejtuesve të bandës për të kaluar kufirin jo një, por së paku pesë herë, reagoi jo Olsi, por vëllai i Olsit, me zëdhënësin e tij, Altin Lala. Edi Rama, me zëdhënësin e tij Lala, nuk dha asnjë provë apo fakt se Olsi Rama nuk kishte kryer mashtrim publik, duke deklaruar se kishte udhëtuar vetëm një herë me makinën e udhëtimit të drejtuesve të grupit të Xibrakës, ndërkohë që faktohet se ka udhëtuar shumë herë me atë makinë. Përveç kësaj, Edi Rama, me zëdhënësin e tij në ‘Skrapin e Partisë’, i cili fle mbi dosjet e krimit dhe copëton e mbyll krime të rënda të skapistëve dhe politikanëve qeveritarë, mendon t’i diktojë opozitës se çfarë mund të publikojë dhe çfarë nuk mund të publikojë ajo. Me reagimin e sotëm, Edi dhe Olsi Rama, me zëdhënësin e tyre mercenar Altin Lala, faktuan se janë të tmerruar nga krimet dhe lidhjet e tyre të tmerrshme me krimin. Me këtë rast, iu bëj të ditur atyre, por edhe gjithë shqiptarëve, se Partia Demokratike, në emër të interesit publik, do të publikojë çdo fakt, provë apo dokument që faktojnë lidhjet me krimin të Edi Ramës, familjarëve të tij, qeveritarëve, deputetëve, narko-zyrtarëve, narko-skapistëve apo narko-gjykatësve të narkoshtetit shqiptar dhe do t’i denoncojë këto lidhje para opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar! Me këtë rast, PDSH fton qytetarët, por edhe punonjësit e ndershëm të administratës, t’i dërgojnë asaj çdo provë, fakt apo dokument që provojnë lidhjet e pushtetit me krimin. sb
Opozita e ka përmendur shpesh emrin e vëllait të kryeministrit Rama për përfshirje në rastin e “Xibrakës”. Por ishte deputeti i PD-së, Gazment Bardhi ai që kërkoi nga SPAK të rihapë hetimet për Olsi Ramën, dhe rolin e tij në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Olsi Rama u kundërpërgjigj duke thënë se do të padiste për kallëzim të rremë Bardhin. Por siç zbuloi kryeministri Edi Rama, Bardhi nuk kishte bërë kallëzim për Olsi Ramën në SPAK, por vetëm kishte dorëzuar indicie për nisje të hetimit. Por pas kallëzimit të Bardhit, SPAK njoftoi më 10 janar se kishte mbyllur hetimet. Vendimi solli reagimin e ashpër të kryedemokratit Sali Berisha, ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh se i ëvllai ishte përdorur nga opozita për ta sulmuar./ZËRI