TIRANË-Policia ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me mesazhin kërcënues dërguar në institucionet e shtetit, i cili paralajmëron për vendosjen e lëndëve shpërthyese dhe kryerjen e akteve terroriste. Nga verifikimet paraprake, blutë njoftojnë se mesazhi është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.
Mënyra e dërgimit të këtij mesazhi paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur mesazhe të ngjashme kërcënuese janë dërguar nga adresa elektronike të komprometuara, që u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit. Policia po vijon hetimet për të identifikuar personat përgjegjës për dërgimin e tij.
Në mesazhin kërcënues pretendohet se brenda një ndërtese është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO). Në email-in, i cili ka mbërritur edhe në Kryeministri dhe Kryesinë e Kuvendit, thuhet se sot do të zhvillohen një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendi.
“Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO). Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit. Ajo që do të përjetoni sot është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”, thuhet në mesazh.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit informon se ditën e sotme është evidentuar një mesazh elektronik (email), i dërguar në disa adresa institucionesh, i cili përmban kërcënime për vendosjen e lëndëve shpërthyese dhe kryerjen e akteve terroriste.
Nga verifikimet paraprake rezulton se mesazhi është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.
Mënyra e dërgimit të këtij mesazhi paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur mesazhe të ngjashme kërcënuese janë dërguar nga adresa elektronike të komprometuara, që u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit.
Strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë verifikimet dhe veprimet e nevojshme hetimore për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës për dërgimin e tij.