
TIRANË- Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka rënë dakort sa i përket pjesëmarrjes në komisionin “Xhafaj”. KLGJ është shprehur se nuk do të dërgojë asnjë përfaqësues në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion por do të jenë të hapur për të dhënë opinione. Ndërsa KLP, ndryshe nga KLGJ, dhe shumë institucione të tjera, ka caktuar dy përfaqësuese për komisionin “Xhafaj”. Dy anëtaret janë Arta Mandro, anëtare e KLP nga shoqëria civile dhe Vate Staka nga radhët e prokurorëve.
Njoftimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë:
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur në mbledhjen informale të së hënës që të caktojë dy anëtare, Arta Mandro anëtare e KLP nga shoqëria civile dhe Vate Staka nga radhët e prokurorëve.
Nisur nga zhvillimet e fundit dhe interesimin e medias, ne lidhje me qëndrimin e KLP-se mbi Komisionin e Posaçëm, ju njoftoj se gjatë mbledhjes se dt. 16.08.2024, është diskutuar për përfaqësimin e institucionit në këtë komision. Siç jeni njohur edhe me njoftimin zyrtar të kësaj mbledhjeje, është diskutuar parimisht, më pas gjatë ditës së hënë, në mbledhje informale dhe është dakordësuar për t’u përfaqësuar me 2 emra; znj. Arta Mandro anëtare jo prokurore dhe z. Vate Staka anëtar prokuror. Që nga ky moment, nuk ka pasur më zhvillim të mëtejshëm me komisionin.
Komisioni anti-korrupsion u ngrit nga mazhoranca socialiste me një përbërje prej 11 anëtarësh, ku 5 vende i takojnë opozitës, e cila nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje. Kreu i Komisionit, Fatmir Xhafaj, i drejtoi kërkesa për bashkëpunim institucioneve publike të cilat ushtrojnë funksione në fusha me risk për korrupsion sipas vlerësimeve që bëhen në raportet e KE-së, thuajse të gjitha institucioneve për të përcaktuar përfaqësuesit e tyre që do të veprojnë pranë nëngrupeve të komisionit dhe grupit të ekspertëve që merret me çështjet e korrupsionit.
Më herët edhe SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme refuzuan që të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision, që ka prani edhe të misioneve të huaja diplomatike në vendin tonë./ ZËRI