Aktualitet

Kokaina mes trëndafilave-'I tmerrshmi i Beratit', Lulzim Caka reagon pas arrestimit: Jam i pafajshëm, nuk kam lidhje

Caka i njohur edhe me emrin John Franko në një video të ndarë në rrjete ku shihet krah avokatit të tij, ka mohuar të ketë lidhje me akuzat e bëra dhe deklaron se e vërteta do të dalë shumë shpejt.

F.I
Kokaina mes trëndafilave-'I tmerrshmi i Beratit', Lulzim Caka
Lulzim Caka

GREQI-Lulzim Caka, i arrestuar nga autoritetet greke, në një operacion të zhvilluar më 9 shtator në aeroportin ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos” në Athinë, i dyshuar si kreu i një grupi kriminal shqiptar që trafikoi 84 kilogramë kokainë nga Kolumbia, ka deklaruar se është i pafajshëm. Caka u arrestuar bashkë me të birin, në një vilë ku janë zbuluar 2 kg kokainë, kimikate e pajisje paketimi të drogës, një pistoletë dhe një makinë luksoze.

I njohur edhe me emrin John Franko në një video të ndarë në rrjete ku shihet krah avokatit të tij, ka mohuar të ketë lidhje me akuzat e bëra dhe deklaron se e vërteta do të dalë shumë shpejt.

“Asgjë nuk ekziston nga këto që thonë. Unë jam i pafajshëm. E drejta do dalë shumë shpejt. Unë nuk kam lidhje me ato që thonë televizionet, njerëzit dhe policia. Unë jam i pafajshëm,"-shprehet Caka.

Më 9 shtator, një ngarkesë me trëndafila të freskët, e ardhur nga Kolumbia, vendosi në lëvizje autoritetet greke dhe agjentët amerikanë të DEA-s, ku brenda saj u zbulua një sasi prej rreth 100 kilogramësh kokainë. Lënda narkotike ishte kamufluar mes ngarkesës me lule, në një përpjekje për ta futur atë në territorin grek pa u zbuluar.Nga 80 kutitë, inspektorët - me ndihmën e një qeni të posaçëm nuhatës - zbuluan në 15 prej tyre se trëndafilat kishin një kërcell artificial , i cili përmbante kokainë.

Lulzim Caka është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe rezulton person i kërkuar në Shqipëri. Ai u lirua në mënyrë të paligjshme nga burgu në vitin 2019, ndërsa në atë kohë vuante një dënim prej 25 vitesh burgim për vepra të rënda penale. Gjykata greke e kishte konsideruar të gabuar kërkesën e Shqipërisë dhe nuk pranonte ta ekstradonte.  Ai njihet edhe si i “i tmerrshmi i Beratit”, një ngë krerët e bandave që ka vepruar gjatë viteve 1995-2000, kryesisht në zonën e Beratit, Fierit dhe Lushnjës./ZËRI

Poll

MOS HUMB