TIRANË-Godian e Pallatit të Kongreseve do të shërbejë si një qendër për aktivitete kulturore, akademike dhe shoqërore. Së fundmi është përzgjedhur edhe modeli për të financuar ndërhyrjen në një objekt: Truall dhe leje për një kullë 20-katëshe në “këmbim” të rikonstruksionit të Pallatit të Kongreseve.
Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) hapi më 27 nëntor thirrjen “duo, projektim dhe ofertë për investim” për projektin “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve”, e cila do të presë propozime deri më 26 janar 2026. Thirrja parashikon rikonceptimin e hapësirave të brendshme e të jashtme dhe ndërtimin e një kulle me funksione të kombinuara: hoteleri, shërbime, qendër tregtare, banim.
Privati përfiton 4,760 m² truall publik rreth Pallatit dhe të drejtën për të ngritur deri në 50,000 m² sipërfaqe ndërtimi mbi tokë. Me koeficientin tipik të shfrytëzimit 30-50%, kjo përkthehet në një ndërtesë deri 20 kate, që sipas planimetrisë së zonës ka gjasë të ngrihet në lulishten pas objektit, pranë rrethrrotullimit të rrugës “Papa Gjon Pali II”, pronësia e truallit, që sot shërben si park, iu kalua KISH-së nga Këshilli Bashkiak i Tiranës në muajin korrik.
Projektuesve u jepet liri të ndërtojnë parking të përbashkët për godinën ekzistuese dhe kullën, ndërsa kushti i vetëm për Pallatin është “ruajtja e elementëve arkitektonikë origjinalë, pa tjetërsuar volumin ekzistues”.
Ndërhyrjet e kërkuara që në janar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila e administron Pallatin e Kongreseve, përfshijnë mjedise pune për Drejtorinë, ambiente zyrash, konferencash dhe hapësira multifunksionale për evente artistike dhe kulturore.
Edhe pse godina është restauruar dy herë brenda dhjetë vitesh, gjatë vizitës së Papa Françeskut (2014) dhe për Samitin e Berlinit (2024), KISH argumenton në thirrjen e saj se ato nuk mjaftojnë për ta sjellë objektin në standarde bashkëkohore. Institucioni e justifikon ndërhyrjen me raportet e Institutit të Ndërtimit, që evidentojnë probleme me vërshimin e ujërave në katet nëntokë, ajrin e kondicionuar, hidrosanitaret dhe impiantet teknike.
Në debatet e asaj seance, shumica socialiste pranoi se nuk kishte asnjë informacion teknik për propozimin. Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, deklaroi se nuk e dinte nëse do të ndërtohej ndonjë kullë, nëse do të ndodhnin rikonceptime apo dhe vetë shembje e mundshme e Pallatit të Kongreseve. Megjithatë, vota e kolegëve të saj u dha.
Sikurse raportoi asokohe Citizens.al, thirrja e parë e KISH, publikuar më 1 prill si “Rikonstruksion i Pallatit të Kongreseve”, ishte tërësisht boshe: pa relacione, pa vlerësime, pa planimetri. Kjo qasje ushqeu dyshimet e opozitës se procesi synonte t’i ofronte privatëve truall publik nën idenë e mjegullt të “rikonstruksionit”.
Kështu, kalimi i lulishtes u bë me procedurë të shpejtuar, pa transparencë mbi planet e ndërtimit, pa konsultim publik dhe pa garanci për ruajtjen e hapësirës së gjelbër. Thirrja e KISH e konfirmon hapur modelin e zgjedhur: përmbushjen e interesit privat përpara interesit qytetar, edhe në objekte me vlerë arkitektonike dhe historike për Tiranën./Citizens