TIRANË-Naldo Gjoni banues në Lezhë, është shoqëruar në Policinë e Elbasanit, në kuadër të hetimeve për vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla. Gjoni dyshohet se mund të ketë përdorur gjatë ditëve të fundit automjetin tip “Audi”, i cili u përdor nga atentatorët në ekzekutimin e biznesmenit mbrëmjen e 30 nëntorit.
Ai është fiksuar nga kamerat e sigurisë në Rrugën e Kombit, teksa kryente pagesën në traun e autostradës, duke përdorur të njëjtin automjet që më pas u identifikua si pjesë e skemës së krimit. Policia po ushtron kontroll në banesën e tij në Lezhë, në kërkim të provave apo gjurmëve që mund të ndihmojnë hetimin për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Mjeti tip 'Audi' i përdorur nga autorët e vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla, alias Edmond Hykau gjet i shkrumbuar në afërsi të fshatit Mirakë, aksi rrugor Elbasan-Librazhd.
Mondi Mëhalla u ekzekutua mbrëmen e të dielës në mjetin e tij Range Rover, i cili gjendej i parkuar pranë karburantit "Xhaxhi Oil" në pronësi të tij. Hetimet janë përqendruar në konfliktet e mundshme që 43 vjeçari Mëhalla ka pasur kohët e fundit, pasi disa prej te shoqëruarve dhe të afërm të viktimës kanë dhënë deklarimet e tyre para grupit hetimor. Mëhalla ka qenë i skeduar më herët për shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje, ndërkohë që në vitin 2020, Prokuroria e Elbasanit ka nisur një hetim pasuror ndaj tij për pastrim parash.
Mëhalla, ishte pronari i club lounge "Hollyvood Lounge Bar", i cili njëherësh zotëronte dhe një pikë karburanti të quajtur “Xhaxhi Oil” si dhe një kompani taksish me emrin "El Taxi". Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen "Emin Matraxhiu" në Elbasan, 50 metra larg vendit ku ndodhi masakra e 4 shkurtit 2016, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe 8 të tjerë u plagosën rëndë./ZËRI