Aktualitet

Kosova 2025, 1 vit pa qeveri

Pavarësisht ngërçit politik dhe krizës institucionale, tri palë zgjedhjet e mbajtura gjatë vitit u zhvilluan pa incidente, me procese të rregullta dhe të shpejta, duke u cilësuar si shembull edhe për vendet e rajonit

Loreta Koleci
Kosova 2025, 1 vit pa qeveri
ALBIN KURTI

PRISHTINË – 2025-a do të mbahet mend si viti i zgjedhjeve pa qeveri për Kosovën. Një vit i mbushur me votime, seanca të dështuara, ndërhyrje të Gjykatës Kushtetuese dhe ngërçe politike, që e lanë vendin për gati një vit pa një qeveri të konsoliduar.

Viti nisi më 9 shkurt me zgjedhjet e përgjithshme, ku fituese doli Lëvizja Vetëvendosje me 48 deputetë. Megjithatë, ky rezultat nuk mjaftoi për të formuar e vetme qeverinë, pasi për shumicë parlamentare nevojiten të paktën 61 vota nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 20, Lista Serbe siguroi 9 mandate, ndërsa koalicioni AAK–Nisma Socialdemokrate mori 8. Edhe 11 ulëse të tjera u takojnë komuniteteve joshumicë.

Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin të parat zgjedhje të rregullta që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, por pavarësisht këtij fakti historik, vendi u fut në një ngërç të thellë institucional.

Seancat për konstituimin e Kuvendit nisën më 15 prill dhe u zvarritën deri më 19 nëntor, duke shënuar përpjekjen e fundit për të zhbllokuar situatën politike dhe për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë. Fillimisht, opozita refuzoi të votonte raportin e Komisionit Parlamentar për Verifikimin e Mandateve, hap i domosdoshëm për betimin e deputetëve dhe funksionalizimin e Kuvendit.

Argumenti kryesor i opozitës ishte se qeveria Kurti duhej të jepte dorëheqje, pasi Vetëvendosja nuk kishte numrat për të formuar qeverinë. Por këto pretendime ranë poshtë, pasi dorëheqja e qeverisë ishte dhënë, ndërkohë që diskutimi për formimin e qeverisë nuk mund të hapej pa u verifikuar mandatet.

Pas votimit të raportit dhe betimit të deputetëve, u hap rruga për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo e drejtë i takon partisë fituese. Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiun, ish-ministre e Drejtësisë, por ajo nuk arriti të siguronte votat e nevojshme nga opozita.

Pas një serie bllokimesh të njëpasnjëshme, Gjykata Kushtetuese ndërhyri, duke vendosur afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit dhe duke kufizuar në tri herë votimin për të njëjtin kandidat. Brenda këtij mekanizmi u provuan radhazi Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla, Arbërie Nagavci dhe Hekuran Murati – secili nga tre herë – por asnjëri nuk arriti të zgjidhej.

Opozita argumentonte se nuk do të votonte figura që vinin nga qeveria apo që i konsideronte përçarëse. Në këtë kontekst, Vetëvendosje propozoi Dimal Bashën, një figurë jashtë qeverisë dhe më e pranueshme për spektrin opozitar. Ai dështoi në votimin e parë, por më 26 gusht u zgjodh kryetar i Kuvendit me 73 vota për, 30 kundër dhe 3 abstenime.

Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, radha ishte për votimin e kryeministrit dhe formimin e qeverisë së re me Albin Kurtin në krye. Por opozita mbeti e palëkundur në qëndrimin e saj, duke refuzuar ta votonte, pasi mungonin 61 votat e nevojshme.

Ndërkohë, situata krijoi pasoja konkrete për funksionimin e shtetit: miratimi i buxhetit vendor, buxheti për Radiotelevizionin e Kosovës dhe marrëveshjet ndërkombëtare mbetën pezull. Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ftoi kryesinë për dialog dhe për formimin e komisioneve parlamentare, me qëllim miratimin minimal të buxhetit të RTK-së. Edhe këto përpjekje u bojkotuan nga opozita, e cila kërkonte zgjedhje të parakohshme.

Duke marrë shkas edhe nga paralajmërimet e Presidencës, Vetëvendosje propozoi Glauk Konjufcën si kandidat për kryeministër. Edhe kjo përpjekje dështoi, duke shënuar më 19 nëntor fundin e çdo mundësie për formimin e qeverisë në këtë legjislaturë.

Më 21 nëntor, presidentja Vjosa Osmani shpalli 28 dhjetorin si datë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të zhvillohen paralelisht me zgjedhjet vendore.

Ndërkohë, më 12 tetor, Kosova zhvilloi zgjedhjet e treta lokale që nga shpallja e pavarësisë. Në 20 komuna zgjedhjet u mbyllën në rundin e parë, ndërsa 18 komuna shkuan në balotazh më 9 nëntor. Vetëvendosje fitoi në 7 komuna, PDK në 6, LDK në 7 – përfshirë edhe Prishtinën – Lista Serbe në 10, AAK në 5, Nisma në 1 dhe Kosova Demokratik Turk Partisi në 1 komunë.

Pavarësisht ngërçit politik dhe krizës institucionale, tri palë zgjedhjet e mbajtura gjatë vitit u zhvilluan pa incidente, me procese të rregullta dhe të shpejta, duke u cilësuar si shembull edhe për vendet e rajonit.

Gjithçka u vulos më 29 dhjetor, kur Kosova më në fund do të ketë qeverinë e munguar prej një viti. Lëvizja Vetëvendosje është forca politike që do udhëheqë vendin në 4 vitet e ardhshme./ ZËRI

Poll

MOS HUMB