Aktualitet

7 viktima në më pak se 48 orë, Viti i Ri nis përgjakshëm, aksidentet dhe krimi në familje shkaktojne ‘bilanc lufte’

Viti i ri ka sjellë një bilanc tragjik, ku 7 persona kanë humbur jetën në më pak se 48 orë

E.K
7 viktima në më pak se 48 orë, Viti i Ri nis
7 viktimat

TIRANË- Pa kaluar ende 24 orë nga hyrja e vitit të ri, vendi është përgjakur nga aksidentet dhe krimi në familje. 7 persona kanë vdekur në vetëm dy ditë, ndërsa dhjetra aksidente me persona të plagosur janë shënuar në këto ditë të ndërrimit të viteve.

Viti i Ri nisi me një ngjarje tragjike në Gjirokastër, ku tre persona humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë pas një aksidenti të ndodhur në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Ngjarja u regjistrua në orën 03:18 të së enjtes, kur dy automjete një Volksëagen dhe një Mercedes-Benz u përplasën me njëri-tjetrin në vendin e quajtur “Bypass”.

Si pasojë e përplasjes së fortë humbën jetën dy të rinjtë që ndodheshin në automjetin Volksëagen, Klejdi Myftari 24 vjeç dhe Anxhelo Ruçi 27 vjeç, si dje drejtuesi i automjetit Mercedes-Benz, Martin Dulaj 25 vjeç. Pasagjerja 19-vjeçare Arsida Demiri, që udhëtonte në Mercedes-Benz, u plagos rëndë dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje kritike.

Një tjetër aksident me pasoja fatale ndodhi mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Lezhë-Shkodër. 

Ngjarja ndodhi pranë fshatit Gocaj, ku dy automjete u përplasën mes tyre. Dy persona humben jetën, ndërsa 3 të tjerë u lënduan. Mësohet se viktimë mbetën Elona Florini dhe Petrit Florini, bashkëshortë. Ndërkohë e plagosur ka mbetur nëna me dy fëmijët e mitur, 6 dhe 2 vjeç, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa ngjarja më e rëndë e këtyre dy ditëve mbetet ajo e ndodhur mesditën e sotme në Orikum, ku burri vrau gruan, dhe më pas i dha fund edhe jetës së tij. Llogora Xhebro i mori jetën bashkëshortes së tij, Sose Xhebro, me të cilën kishin filluar procedurat e divorcit. ZËRI ka siguruar foto të çiftit dhe detaje nga ngjarja e rëndë, që ndodhi në banesën e tyre në zonën e Orikumit.

Mësohet se çifti i bashkëshortëve nuk jetonin më së bashku prej rreth dy muajsh dhe kishin vendosur të qëndronin të ndarë, për shkak të problemeve të vazhdueshme mes tyre. Sipas asaj që raportojnë burime nga grupi hetimor, Sose Xhebro, ishte kthyer së fundmi nga Italia, ku jetonte, për të kaluar festat e fundvitit në Shqipëri. Pikërisht gjatë kësaj periudhe dyshohet se janë përshkallëzuar konfliktet, të cilat kanë çuar në ngjarjen tragjike, ku Llogora Xhebro i ka marrë jetën 40-vjeçares.

Hetimet po vijojnë për të sqaruar dinamikën e plotë të rastit, ndërsa autoritetet po mbledhin dëshmi nga familjarë dhe persona të afërt me çiftin, për të kuptuar më mirë rrethanat që paraprinë vrasjen dhe vetëvrasjen./ZËRI

Poll

MOS HUMB