Aktualitet

Kryebashkiakë, deputetë, artistë e investitorë, SPAK “kopsiti” dosjen e Veliajt me 97 deklarime personash

Prokuroria e Posaçme ka marrë dëshminë edhe të investitorit strategjik, Gazmend Paja

F.I
Kryebashkiakë, deputetë, artistë e investitorë, SPAK
Erion Veliaj

TIRANË-Hetimi për korrupsionin e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nga ana e Prokurorisë së Posaçme do të vijojë deri më 24 shtator. Po në këtë datë SPAK do të vendosë nëse do ta çojë dosjen për gjyq.

Ndërkohë detaje të reja janë zbardhur lidhur me dosjen, ku Oranews raporton se nga 6 dhjetori i vitit 2024 e deri më 17 korrik të këtij viti Prokuroria e Posaçme ka administruar 97 deklarime të personave që kanë dijeni mbi veprat penale që prokuroria ia ka atribuar Erjon Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe personat e tjerë të përfshirë në këto hetime.

Mes personave që ka dhënë deponime në SPAK ka qenë kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi, pasi është zbuluar një tender i dhënë nga kjo bashki për një nga OFJ-të e Ajola Xoxës. Prokuroria e Posaçme ka marrë dëshminë edhe të investitorit strategjik, Gazmend Paja, ky i fundit një lidhje e ngushtë e Veliajt. Më 14 shkurt të këtij viti për t’u dëgjuar si person që ka dijeni mbi hetimet në dosjen “Veliaj” ishte edhe Avokatja e Popullit Erinda Ballanca.

Ilriana Basha, bashkëshortja e ish-drejtorit të Teatrit Kombëtar Altin Bashës, po ashtu ka dhënë në dëshmi në Prokurorinë e Posaçme. Sipas dosjes, Altin Basha bashkë me bashkëshorten kanë përfituar 9 projekte, afro 320 mijë euro nga bashkia Tiranë.

Por jo vetëm kryetarë bashkie, për dosjen Veliaj në Prokurorinë e Posaçme është paraqitur edhe ish-deputeti demokrat Myslym Murrizi. Në atë kohë i pyetur nga mediat ai deklaronte se nuk ka lidhje me të si person, por me hetime për persona të tjerë ku mund të jetë përmendur edhe emri i tij.

Prokuroria e Posaçme ka pyetur edhe ish-drejtoreshën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Abigelia Voshtina.  Sipas të dhënave është zbuluar një kontratë “Kontratë qiraje” me palë: Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit e Ansamblit Popullor, përfaqësuar ligjërisht nga drejtoresha e Përgjithshme znj. Abigeila Voshtina, dhe “RAMETAL”, kompani kjo e Elman Abules.Sipas kontratës, TKOBAP angazhohet t’i paguajë “Rametal” sh.p.k., shumën totale prej 1.213.380 lekësh pa TVSH.

Pjesë tjetër e personave që i janë marrë deklarime vijnë nga bota e biznesit, si dhe drejtues të disa OFJ-ve, të cilët besohet sipas SPAK-ut se kanë qenë përfitues të parave publike.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK, për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa u mor e pandehur për tre akuza, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim parash. Të bandehur u morën edhe biznesmeni, Mirton Lika, deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka. Po ashtu është marrë i pandehur edhe polici i burgjeve, Fatjon Baçi, cili i dha celularin Erion Veliajt gjatë kohës që ishte i arrestuar. 

Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'.

Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar./ZËRI

Poll

MOS HUMB