KSAMIL- Një drejtues gomoneje është ndëshkuar nga Policia Kufitare pasi u konstatua duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë në zonën e plazhit publik të Ishujve të Ksamilit, duke rrezikuar sigurinë e pushuesve.
Gjatë kontrolleve dhe patrullimeve të zhvilluara nga Policia Kufitare në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, u evidentua mjeti lundrues që kishte hyrë në hapësirën e ndaluar për lundrim, shumë pranë zonës ku ndodheshin pushuesit. Pas verifikimeve, autoritetet bllokuan gomonen, ndërsa drejtuesi i saj, shtetasi me inicialet A.B., u ndëshkua me një gjobë prej 500 mijë lekësh të rinj, për shkelje të rregullave të sigurisë në lundrim.
Njoftimi i Policisë:
Ksamil/Shkel perimetrin e sigurisë me mjet lundrues, duke rrezikuar pushuesit, ndëshkohet me 500 000 lekë të rinj drejtuesi i mjetit.
Bllokohet edhe mjeti lundrues.
Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë me intensitet kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.
Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ishujve të Ksamilit, te “Plazhi Publik”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues (gomone), i cili kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar pushuesit që ndodheshin në plazh.
Në përfundim të veprimeve administrative, mjeti lundrues u bllokua, ndërsa drejtuesi i tij, shtetasi A. B., u ndëshkua me masë administrative 500 000 lekë të rinj.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese dhe subjektet që operojnë me to, të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit./ZËRI