
TIRANË- Qytetarët kanë ngritur shqetësimin se po marrin mesazhe të dyshimta në telefonat e tyre, të dërguara nga numra të panjohur. Përmbajtja e këtyre mesazheve pretendon se llogaria e tyre në “Raiffeisen Bank” është çaktivizuar për arsye sigurie, dhe i udhëzon ata që ta riaktivizojnë atë përmes një linku të dërguar.
“Raiffeisen: llogaria juaj është çaktivizuar për arsye sigurie. Ju lutemi riaktivizoni atë nëpërmjet: raiffisen-lidhje.com”,-thuhet në mesazh.

Në fakt mesazhi është dërguar edhe në qytetarë që nuk kanë fare llogari në këtë bankë. Vetë 'Raiffeisen Bank' ka njoftuar se ka patur disa raste tentative mashtrimi përmes SMS-ve, të njohura si "smishing". Banka iu bën thirrje klientëve dhe qytetarëve të mos klikohen këto linqe, pasi këto mesazhe kanë qëllim të vjedhin informacionin tuaj personal dhe financiar.
"Duam t’ju njoftojmë se kemi kemi vënë re disa raste tentative mashtrimi përmes SMS-ve, të njohura si "smishing". Disa klientë tanë kanë marrë mesazhe që përdorin emrin e Bankës dhe kërkojnë klikimin mbi linqe të rreme, si raiffeisen-lidhje.com / raiffeisen-lajm.com, duke pretenduar se është e nevojshme riaktivizimi i llogarisë suaj online. Ju lutemi, mos i vizitoni këto linqe dhe mos ndani të dhënat tuaja.Këto mesazhe kanë qëllim të vjedhin informacionin tuaj personal dhe financiar,"-njofton 'Raiffeisen Bank'.
Raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë./ZËRI