TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e plotë për lënien në fuqi të vendimit të GJKKO-së, për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si zv.kryeministre dhe ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë. Në vendim Kushtetuesja thekson se masa e sigurimit të ndalimit të ushtrimit të detyrës sipas nenit 242 të KPP-së është e përkohshme dhe i drejtohet individit e jo institucionit. Për rrjedhojë, kjo masë nuk mund të barazohet me shkarkimin nga detyra.
Sa i përket imunitetit të ministrave, Kushtetuesja ka dhënë një interpretim të qartë dhe sqaron se imuniteti nuk është një privilegj personal apo mburojë ndaj drejtësisë, por një garanci funksionale që synon të mbrojë ushtrimin e lirë dhe të pavarur të detyrës publike. Sipas argumentimit të gjykatës, nëse imuniteti do të interpretohej më gjerë sesa e lejon Kushtetuta, kjo do të prishte balancën mes pushteteve dhe do t’u jepte ministrave një privilegj të pajustifikuar.
Pjesë nga argumentimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e Ballukut
Gjykata Kushtetuese: Imuniteti i ministrit nuk përbën një privilegj individual ose një formë mbrojtjeje absolute ndaj juridiksionit penal, por një garanci funksionale të kufizuar, e cila synon të sigurojë ushtrimin e lirë dhe të pavarur të detyrës. Kjo garanci nuk mund të shndërrohet në pengesë për ushtrimin e ndjekjes penale ose të juridiksionit gjyqësor përtej rasteve të parashikuara shprehimisht nga Kushtetuta.
Gjykata ka vlerësuar se duhet të ekzistojë një prezumim themelor që imuniteti duhet të hiqet në të gjitha rastet kur nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se akuzat ndaj deputetit përkatës janë të motivuara politikisht dhe se paprekshmëria e tij duhet të zbatohet vetëm në rastet kur ka arsye për të dyshuar se në vendimin për ndjekjen penalisht të deputetit ka elemente partiako-politike
Çdo interpretim që do të zgjeronte fushën e mbrojtjes përtej asaj që parashikon shprehimisht Kushtetuta do të cenonte ekuilibrin kushtetues ndërmjet pushteteve, duke krijuar një trajtim të privilegjuar të papajtueshëm me parimin e barazisë përpara ligjit, pa përligjje të arsyeshme dhe objektive. Një qasje e tillë do të binte ndesh me vetë logjikën e shtetit të së drejtës, i cili kërkon që përgjegjësia dhe llogaridhënia të jenë elemente thelbësore të ushtrimit të funksioneve publike.
Gjykata çmon se regjimi i imuniteteve, si i deputetit, ashtu edhe i ministrit, përcaktohet drejtpërdrejt në normat kushtetuese. Kjo do të thotë se nuk përjashtohet nga llogaridhënia dhe përgjegjësia as anëtari i Këshillit të Ministrave (ministri). Ai mban përgjegjësi politike përpara Kuvendit për ushtrimin e funksioneve të tij qeverisëse, e cila konkretizohet përmes mekanizmave të kontrollit parlamentar të parashikuar në Kushtetutë dhe që mund të çojë në shkarkimin e tij. Njëkohësisht ai mban edhe përgjegjësi penale individuale, në rast se gjatë ushtrimit të detyrës kryen vepër penale. Gjykata thekson se, ndonëse ndaj ministrave parashikohet një regjim i veçantë imuniteti, ky i fundit ka si qëllim vetëm garantimin e ushtrimit të lirë dhe të pavarur të funksionit publik, duke i mbrojtur ata nga ndërhyrje ose sulme të padrejta me natyrë politike. Edhe pse ndaj ministrave parashikohet një regjim i veçantë imuniteti, ky regjim nuk përbën privilegj personal, por një garanci funksionale që synon të sigurojë ushtrimin e lirë dhe të pavarur të detyrës publike. Ai nuk përbën dhe nuk mund të interpretohet si një mburojë ndaj zbatimit të ligjit penal, pasi ministri, si çdo individ, mbetet subjekt i përgjegjësisë penale dhe është i detyruar t’u nënshtrohet rregullave dhe sanksioneve penale përpara organeve kompetente në rast të kryerjes së një vepre penale.