
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg 10 personat që u arrestuan gjatë operacionit të antidrogës të zhvilluar nga Prokuroria e Posaccme. Para togave të zeza kanë dalë sot: Geis Fejsullai, Klajdi Birçe, Artion Çaushllari, Endi Sejdini, Aldi Zonja, Ismail Abdurrahmani, Baki Huqi, Hiwlen Narvaez, Joze Vasquez dhe Samuel Serrano, të cilët janë arrestuar në flagrancë gjatë kontrolleve në bazat e kokainës.
SPAK ka mundur po ashtu të përcaktojë se në rolin e financuesve dhe organizatorve të kësaj veprimtarie ishin Klajd Birçe, Geis Fejsullai, Aldi Zonja dhe Artion Çaushllari. Pronar i ndërtesës ku ishte ngritur laboratori i drogës është Endi Sejdini, 25 vjeç, i cili kishte një mobileri në zonë dhe nuk rezulton person me rekorde kriminale. Ndërsa tre të huajt ishin "ekspertët" që merreshin me kthimin e kokainës në fazën e tyre fillestare.
Sipas Prokurorisë së Posaçme në më shumë se 1 vit hetime është zbuluar se grupi bashkëpunonte me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar drogë në Shqipëri. Ndryshe nga droga e fshehur në fruta, kokaina e këtij grupi vinte e kamufluar në “lëkurë gjedhi të kriposur”. Në Shqipëri përpunohej duke e kthyer në gjendjen e saj fillestare për ta transportuar më pas në vendet e Bashkimit Europian.
SPAK ishte në dijeni të lëvizjeve të grupit kriminal, por i lanë ata të veprojnë të lirë. Grupi kriminal ka arritur të sjellë dy ngarkesat e fundit në shtator dhe në nëntor, ku në vendin tonë u transportuan 48 ton lëkurë gjedhi, të cilat përmbanin kokainë brenda. Më 15 nëntor SPAK në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe me Policinë e Shtetit ndërhynë dhe arrestuan 10 persona, 7 shqiptarë dhe 3 nga Amerika Latine./ZËRI