TIRANË- Ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi është paraqitur sërish në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ende nuk dihet arsyeja se përse është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme. Herën e fundit që u paraqit ishte më 16 maj të vitit të shkuar, ku qëndroi për më shumë se 4 orë. Kjo pasi SPAK ka hapur ndaj tij një hetim për shpërdorim detyre, gjatë kohës që ushtronte funksionin e kryetarit të bashkisë së Kavajës.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i ka kërkuar SPAK-ut që të marrë nën hetim ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi, për një denoncim që është bërë ndaj tij në vitin 2017, në lidhje me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
TENDERI I DYSHIMTË
“KLSH ka kryer auditimin mbi rregullshmërinë dhe përputhshmërinë financiare në Bashkinë Kavajë, për periudhën 01.01.2015-31.12.2016 dhe për ish komunat, të kaluar në administrim të kësaj Bashkie, për periudhën nga 01.01.2013 deri 31.07.2015. Sipas palës kallëzuese, nga auditimi i ushtruar janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore e nënligjore në fushën e prokurimeve publike. Për këtë shkak, Kontrolli i Lartë i Shtetit, i është drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, nëpërmjet shkresës nr.258/14, date 27.07.2017, me lëndë "Indicie për ndjekje penale mbi shkeljet e konstatuara nga ana e Bashkisë Kavajë".
Prej këtej, sipas palës kallëzuese, rezulton se: i) Në procedurën e prokurimit me objekt "shërbimi i pastrimit të qytetit" të zhvilluar në datën 15.02.2016, me fond limit 147,519,416 lekë (pa TVSH), titullari i Autoritetit Kontraktor, Z. Elvis Roshi, ka miratuar procedurën dhe raportin përmbledhës të KVO-së, si dhe ka shpallur prokurimin publik dhe kërkesat e LPP.
Konkretisht: fitues OE "Alko Impeks Genaral Construction" SHPK, në kundërshtim me rregullat e OE "Ekologica Albanta" SHPK i cili ka vetëm një mangësi, mungesën e kontrollit teknik të një mjeti, por me vlerë të ofertës ekonomike më të ulët (127,500,526 lekë) dhe OE "Alko Impeks Genaral Construction" SHPK, i cili për dy mjete nuk ka paraqitur lejen e qarkullimit, nuk vërteton se ka kryer kontrollin teknik dhe siguracionin e mjeteve, nuk vërteton se ka paguar detyrimet për taksat vendore në shtetin e Kosovës, nuk ka paraqitur deklaratë se ky formular nuk aplikohet në shtetin e Kosovës, ka ofertën ekonomike më të lartë (139,746,161 lekë). Titullari i Autoritetit Kontraktor Z. Elvis Roshi, ka shpallur fitues OE "Alko Impeks Genaral Construction" SHPK, me më shumë mangësi dhe ofertë më të lartë. Si pasojë, fondet publike nuk janë përdorur në mënyrën e duhur, me një vlerë dëmi prej 12.245,635 lekë”./ZËRI
