Vlora Hyseni ndodhej në Prishtinë kur u bë publik vendimi për masën e sigurisë ndaj saj dhe pas qëndrimit në Kosovë ka kontaktuar autoritetet atje për të vijuar procedurat e kthimit në Shqipëri.
Sipas të dhënave, ish- drejtuesja e SHISH ka kaluar kufirin në pikën e Vërmicës dhe më pas është marrë nga autoritetet shqiptare në Morinë rreth orës 19:00.
Mësohet se gjatë ditës Hyseni ndodhej në Prishtinë. Pasi ka mësuar se autoritetet shqiptare kishin kërkuar ndihmën e palës kosovare për të verifikuar nëse ajo ndodhej në territorin e Kosovës ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe ka kërkuar shoqërim drejt pikës kufitare.
Hyseni ishte kthyer në Kosovë pas përfundimit të vizitës në Baku të Azerbajxhanit. Më pas sipas informacioneve paraprake, ajo ka kërkuar asistencën e autoriteteve kosovare për të mbërritur në kufi ku është dorëzuar te pala shqiptare.
Pas hyrjes në Shqipëri vijojnë procedurat për zbatimin e vendimit të GJKKO-së. Ndaj Hysenit është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” së bashku me pezullimin nga detyra në kuadër të hetimeve të SPAK.
Sipas informacioneve të bëra publik pritet që ajo të shkojë në banesën e saj ndërsa brenda 48 orëve pritet edhe seanca gjyqësore ku do të vlerësohet masa e sigurisë dhe do t’i komunikohen zyrtarisht vendimet përkatëse./ZËRI