Aktualitet

Mashtronin të huajt përmes Call Center-it, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq tre persona (EMRAT)

Agjentët merrnin të dhëna nga viktimat lidhur me humbjet financiare që kishin pësuar dhe më pas u premtonin ndihmë për rikuperimin e shumave të humbura.

l.k
Mashtronin të huajt përmes Call Center-it, Prokuroria e Tiranës
foto ilustruese

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre persona, të akuzuar për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, në një ambient në zonën e Selitës dyshohet se zhvillohej aktivitet i paligjshëm i një Call Center-i, ku shtetas të huaj kontaktoheshin me pretendimin për t’iu rikthyer paratë e humbura. Agjentët merrnin të dhëna nga viktimat lidhur me humbjet financiare që kishin pësuar dhe më pas u premtonin ndihmë për rikuperimin e shumave të humbura.

Nga hetimet rezultoi se menaxheri i call center-it, Klaudio Sulejmëni dhe punonjësi Franko Karemani dyshohet se rekrutonin dhe udhëzonin punonjësit për mënyrën e funksionimit të skemës, ndërsa punonjësi Eriglen Arapi akuzohet për moskallëzim krimi.

NJOFTIMI I PLOTË:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit K.S., F.K. dhe E.A., të akuzuar për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe ‘Moskallëzim krimi’ parashikuar nga nenet 143/b/2 dhe 300 të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.8513 viti 2025, të nisura nga informacionet e marra në rrugë operative për një ambient në rrugën Zalli, Selitë, kati i 2, ushtrohet aktiviteti i paligjshëm i ‘call center’, janë kryer veprimet procedurale me iniciativë dhe brenda ambienteve janë gjetur të akuzuarit dhe persona të tjerë të ulur në postet e përshtatuara si zyrë.

Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, rezultoi se shtetasit K.S. dhe F.K. kanë qenë personat që kanë rekrutuar punonjësit. Këta shtetas shpjegonin procesin e punës, i cili kishte të bënte me bindjen e shtetasve të huaj për të rifituar përsëri paratë e humbura (Recovery).

Hetimet zbuluan se agjentët merrnin informacione nga klientet për situatën e tyre të humbjes së lekëve dhe jepnin zgjidhjen për kthimin mbrapsht të tyre. Ata informoheshin për gjendjen e klienteve, në çfarë situate ishin, sesi i kanë humbur lekët dhe më çfarë kompanish kanë bashkpunuar më përpara. Më pas klienteve iu linte takim me ekspertin për shqyrtimin e ngjarjes dhe vazhdimësinë e telefonateve të tyre i merrnin në shqyrtim shtetasit K.S. dhe F.K.

Sa më sipër u bë arrestimi i shtetasve K.S. dhe F.K., dhe dërgimi në gjyq i tyre për veprën penale ‘Mashtrimi kompjuterik’, ndërsa shtetasi E.A. për veprën penale ‘Moskallëzim i krimit’./ZËRI

Poll

MOS HUMB