
TIRANË-Pas më shumë se një dekade ndalim, në Shqipëri do të lejohet gjuetia. Pasi moratoriumi skadoi, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hedhur në konsultim publik projektligjin “Për gjuetinë”.
Gjuetarë do të jenë si fillim vetëm shtetasit shqiptarë, ata që kanë mbushur moshën 25 vjeç, që kanë armë me leje dhe që janë të pajisur me leje gjuetie. Sipas relacionit të projektligjit, statusi i zonës së gjuetisë do të hiqet për arsye të sigurisë kombëtare, nevoja të zhvillimit rural, kur ka keqpërdorim dhe kur nuk zbatohet kontrata me qiramarrësin.
“Zonat e gjuetisë mund t’i jepen subjekteve private me anë të një procedure konkurrimi dhe për një afat jo më pak se 10 vjet, kjo për arsyen se sipas ekspertëve të fushës së gjuetisë, duhen të paktën 5 vjet për të përgatitur gjahun. Subjekti fizik ose juridik do të jetë njëkohësisht dhe menaxhuesi i zonës. Në fakt projektligji i ri nuk ndryshon shumë nga nismat e mëhershme të moratoriumit. Në relacion thuhet gjithashtu se nisma ligjore do i shërbejë shtimit të popullatës së shpendëve dhe kafshëve. Problemi i madh është që ne sot nuk kemi asnjë të dhënë se sa ndikoi te përmirësimi i jetës së egër moratoriumi i shtyrë disa herë”, tha për A2 CNN, Aleksandër Trajçe, Drejtor Ekzekutiv i PPNEA.
“Thuajse fare. Gjuetia e paligjshme vijoi edhe me mënyra të brakonazhit. U përdorën imituesit për shpendët. Pati edhe gjuetarë nga jashtë që e thyen moratoriumin”, tha Joni Vorpsi nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri.
Edhe pse moratoriumi ka qenë aktivë prej dekade, kjo nuk i ka penguar gjuetarët e paligjshëm të sfidojnë ligjin. Gjuetia ka vazhduar në vend, por në mënyrë të paligjshme./ZËRI