Aktualitet

Vrasje me paramendim? Dëshmia e Elvis Shkambit: Më kishte ardhur në majë të hundës, por mendja m’u mbush në sallë

Policia ka zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, ku bëhet me dije se detektori ka sinjalizuar prezencën e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por punonjësi i sigurisë nuk nuk kreu kontrollin fizik

E.K
Vrasje me paramendim? Dëshmia e Elvis Shkambit: Më kishte ardhur
Elvis dhe Gjon Shkambi dhe gjyqtari astrit kalaja

TIRANË- Elvis Shkambi, autori i vrasjes së gjyqtarit të apelit Astrit Kalaja, në dëshminë e tij paraprake pas ngjarjes është shprehur se krimin nuk e ka pasur me paramendim, pavarësisht se kishte hyrë i pajisur me armë në sallën e gjyqit. Shkambi është shprehur se vendimin për ta vrarë e ka marrë në momentin kur gjyqtari është shprehur në favor të palës tjetër.

"Më kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet. Dëgjova që mori vendimin në favor të palës tjetër. Unë nuk e kam menduar përpara vrasjen por aty m'u mbush mendja për ta vrarë kur dha vendim kundër nesh", ka thënë 30-vjeçari.

Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën ditën e djeshme, 6 tetor, gjatë një seancae gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Dyshohet se autori tashmë i identifikuar, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. 

Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Elvis Shkambi është autori i ngjarjes, i cili u arrestua menjëherë pas krimit, ndërsa në pranga ka rënë edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi. Gjithashtu në pranga ka rënë edhe një punonjës sigurie i Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili lejuar hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi. Gjykata e Apelit ka marrë një vendim drastik pas vrasjes në sallën e gjyqit të magjistratit Astrit Kalaja. Ditën e sotme do të pezullohen të gjitha gjyqet në Gjykatën e Apelit, dhe asnjë qytetar nuk do të jetë i pranishëm në ambientet e këtij institucioni. /ZËRI

 

Poll

MOS HUMB