Aktualitet

Monopatët, 'arma' e heshtur e aksidenteve urbane

ZËRI hulumtoi dy pikat kryesore ku shiten në mënyrë masive këto mjete transporti dhe ajo që na bëri përshtypje ishte stepja e tregtarëve për tu prononcuar.

Florida Mingla
Monopatët, 'arma' e heshtur e aksidenteve urbane
Florida Mingla

TIRANË-Të shkosh në punë apo në një takim në kohën e duhur në Tiranë është kthyer në një sfidë të përditshme. Trafiku është kthyer në tmerrin e çdo qytetari, kryesisht në orët e pikut të tij dhe shumë prej të rinjve e kanë gjetur zgjidhjen, monopatet. Vetëm pak ditë më parë, në këtë vend u aksidentuan tre fëmijë.

Ndërkohë që të gjithë diskutojnë se kush ishte fajtori i këtij aksidenti që solli tre të plagosur, shoqërinë po e shqetëson vërtet rreziku i këtyre mjeteve të transportit që praktikisht janë të paligjshme në Shqipëri, pasi nuk i nënshtrohen asnjë lloj rregulloreje për shkak të vakumit ligjor. Një vit më parë është menduar një projekt-draft nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në bashkëpunim me Policinë Rrugore në mënyrë që të rregullohet përdorimi i tyre.
Gjëja e parë që është menduar është që këto pajisje të kenë një kod unik të njëjtë me numrin e shasisë në automjete në mënyr që të bëhet e mundur identifikimi i zotëruesve të tyre dhe më pas gjobitja në raste shkeljesh.

Por, para se të arrijmë tek shkelja, duket të kuptojmë fillimisht se çfarë konsiderohet shkelje për këtë lloj mjeti transporti. Ajo që mendohet gjithashtu të vendoset është një moshë minimale për drejtuesit e monopateve si dhe shpejtësia e lejuar në zona të ndryshme të Tiranës, njësoj siç është në fuqi për motomjete dhe makinat. Kaska mbrojtëse pritet të bëhet e detyrueshme gjithashtu. Mirëpo derisa ky projektdraft është ende në diskutim, shifrat tregojnë se rreziku i tyre sa vjen e rritet.

Vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2025 u regjistruan 15 aksidente me monopatina, shumica prej të cilave në Tiranë. Por duhet pranuar se jo të gjitha rastet raportohen në polici.

Kush i shet këto pajisje?

Kudo në Tiranë, në dyqane që shiten pajisje teknologjike gjen dhe monopatë të llojëve të ndryshme duke nisur nga shpejtësia 25 km/h dhe deri në 70 apo 80 km/h. Për ta blerë këtë pajisje në fakt në dyqan duhet të paraqitet një person në moshë madhore, pork jo nuk e ndalon aspak që përdoruesi të jetë i mitur apo edhe poshte moshës 16 vjeç.

ZËRI hulumtoi dy pikat kryesore ku shiten në mënyrë masive këto mjete transporti dhe ajo që na bëri përshtypje ishte stepja e tregtarëve për tu prononcuar. Dhe kjo, për faktin që shumë prej tyre pranojnë jashtë kamerave se i tregtojnë në të zezë. Këto pajisje në fakt jepen dhe me qira përmes aplikacioneve të ndryshme që shkarkohen në Smartphone, gjë që e bën akoma më të pamundur identifikimin e drejtuesit, pasi pagesa bëhet gjithashtu online.

Si kanë vepruar në shtete të tjera?

Në vitin 2023, Parisi është bërë kryeqyteti i parë në botë që ka ndaluar përdorimin e skuterave, duke u nisur nga rreziku që nisën të shkaktonin në rrugë. Pas Francës të njëjtën masë ndërmori dhe Malta. Edhe Kosova ka ndaluar përdorimin e skuterave, motorëve dhe biçikletave elektrike nëpër sheshet dhe hapësirat publike të kryeqytetit. Edhe në Itali Kodi Rrugor është ndryshuar dhe kushdo që përdor një skuter elektrik pa kasëk mbrojtëse gjobitet nga 50 deri në 250 euro. Në rast se patina nuk ka targë ose numrat e saj nuk duken qartë, gjoba fillon nga 100 dhe arrin në 400 euro.

A është koha të veprohet në Shqipëri?

Deri në momentin që këto pajisje ndodhen në mes të një vakumi ligjor, efektivët e Policisë Rrugore zbatojnë nenin 188 të Kodit Rrugor për të vendosur saksionet administrative dhe për mospajisjen me kaskë mbrojtëse, masa administrative është nga 250-1000 lekë. Dhe në rast se drejtues është një i mitur, gjoba i faturohet prindit të tij që gjendet përmes kartës së identitetit.

Po në momentin që i mituri nuk ka një kartë identiteti si veprohet? E gjithë kjo sjell një kaos dhe fakti që rreth 35% e aksidenteve shkaktohen nga monopatët, tregon qartë se ka ardhur momenti për të vepruar./ZËRI

Poll

MOS HUMB