BRITANI E MADHE- Shqipëria duket se është kthyer në vendin e parë mikëpritës të produkteve ushqimore të kontaminuar. Pas mishit të pulës me salomnelë, mandarinave e luleshtrydheve me pesticide dhe produktet e bulmetit i shtohen listës. Konkretisht bëhet fjalë për djathin e kontaminuar me bakterin e llojit të listerisë.
Sipas medias së njohur britanike ‘The Sun’, produkti mund të jetë importuar dhe në Shqipëri, pasi vendi ynë renditet i pari në listën e 30 vendeve që mund të jetë dërguar. Dy persona kanë humbur jetën në Francë pasi kanë konsumuar djathin, ndërsa 21 persona janë sëmurë pasi kanë ngrënë produkte qumështi të kontaminuara me baktere midis dhjetorit 2024 dhe 13 gushtit të këtij viti. Katër raste të tjera janë raportuar gjithashtu në Belgjikë, Danimarkë, Holandë dhe Norvegji, ku pacientët gjithashtu kishin konsumuar djathë të butë përpara se të sëmureshin.
Hetimet e autoriteteve franceze kanë çuar në identifikimin e një prodhuesi të caktuar francez, i cili prodhon djathë të butë nga qumështi i lopës dhe dhisë. ECDC ka konfirmuar se produktet janë shitur nën marka të ndryshme dhe janë shpërndarë në rreth 30 vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Megjithatë, për momentin nuk është bërë publik emri i prodhuesit. Produktet janë tërhequr nga tregu si masë parandaluese, ndërsa autoritetet në vendet përkatëse po zbatojnë kontrolle zyrtare dhe kanë lëshuar paralajmërime për konsumatorët.
Produktet e kontaminuara janë shpërndarë në këto vende:
Shqipëri, Andorrë, Australi, Austri, Belgjikë, Burkina Faso, Kamboxhia, Kanada, Çeki, Bregu i Fildishtë, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë (përfshirë Polinezinë Franceze), Gjermani, Hong Kong, Hungari, Itali, Japoni, Madagaskar, Malajzi, Mauritius, Holandë, Kaledonia e Re, Singapor, Sllovaki, Kore e Jugut, Spanjë, Suedi, Zvicër, Mbretëri e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çfarë është liseterioza dhe kush rrezikohet më shumë?
Liseterioza shkaktohet nga bakteri Listeria monocytogenes, që transmetohet përmes ushqimeve të kontaminuara. Simptomat më të zakonshme janë ethet, të përzierat, diarreja dhe dhimbja e kokës. Megjithatë, sëmundja mund të ketë pasoja të rënda për:
Gratë shtatzëna, pasi mund të shkaktojë abort ose lindje të vdekur,
Personat me sistem imunitar të dobësuar, të moshuarit dhe pacientët kronikë.
/ZËRI