LIBRAZHD– Një ngjarje e paprecedentë është regjistruar në Librazh, ku dyshohet se dhëndri u ka dhënë valium vjehërrve dhe ma pas u ka vjedhur një shumë të konsiderueshme parash. 36-vjeçari Ismail Kllogjri u arrestua nga policia menjëherë pasi këta të fundit, morën njoftimin se dy bashkëshortë ishin dërguar fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësor. Pas hetimeve, blutë kanë zbardhur ngjarjen nga ku ka rezultuar se 36-vjeçari është i afërm familjar i çiftit të moshuar (dhëndri i tyre). Aktualisht, të dy bashkëshortët ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policise:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Opportunity”.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Librazhd, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve kundër Personit të DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.
I dha çiftit të moshuar një dozë të lartë medikamenti qetësues (valium) dhe më pas vodhi një shumë parash në banesën e tyre, identifikohet dhe vihet në pranga 36-vjeçari.
Sekuestrohen shuma e parave të vjedhura dhe një celular.
Pas marrjes së njoftimit se dy bashkëshortë ishin dërguar fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore dhe të dyshuar për intoksikim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara hetimore, të kryera në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të operacionit “Opportunity”, u bë e mundur zbardhja e plotë e ngjarjes, si dhe identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit I. K., 36 vjeç.
Nga hetimet rezultoi se autori, i afërm familjar i çiftit të moshuar (dhëndri i tyre), dyshohet se u ka administruar atyre një dozë të lartë medikamenti qetësues, të dyshuar si valium, duke shkaktuar dëmtime të rënda shëndetësore, dhe më pas ka vjedhur një shumë parash në banesën e tyre. Të dy bashkëshortët ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e parave të vjedhura dhe një celular.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.