TIRANË-Është zbardhur konflikti me armë zjarri që ndodhi mesditën e djeshme më 25 shtator në Tiranë, në zonën e “Zogut të Zi” ku mbeti i plagosur në këmbë një 33-vjeçar nga Kosova, i identifikuar si Gjenk Karabeg. Policia njofton se në pranga është vendosur i plagosuri 33-vjeçar, pasi rezultoi person në kërkim nga autoritetet e Kosovës dhe reperi nga Tropoja Samuel Tahiraj, i njohur me emrin e artit Leumasi.
I plagosuri rezulton i dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 50 ditë burg për posedim të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge. Ndërkohë 54-vjeçari, Sajmir Pasmaciu autor i plagosjes me armë zjarri është identifikuar dhe shpallur në kërkim nga Policia.
Në njoftimin zyrtar nga autoritetet bëhet me dije se konflikti ka ndodhur në një lokal të zonës, ku shqiptari i Kosovës Gjenk Karabeg ishte në tavolinë me reperin 20-vjeçar. Sherri ka agravuar në përdorimin e armës, ku 54-vjeçari ka qëlluar në drejtim të tyre duke lënë të plagosur Karabegin.
Policia njofton se në konflikt është përfshirë edhe djali 18-vjeçar i autorit, i cili është dhunuar me sende të forta nga reperi Samueli gjë që ka sjellë në përdorimin e armës së zjarrit.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet brenda 24 orëve, autorësia dhe rrethanat e plagosjes me armë zjarri, të ndodhur dje, në rrugën “Hysni Gërbolli”.
Identifikohet autori i dyshuar dhe shpallet në kërkim. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Vihet në pranga një 20-vjeçar dhe procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë, të përfshirë në konflikt.
Vihet në pranga dhe i dëmtuari, pasi rezultoi person në kërkim nga autoritetet e Kosovës.
Sekuestrohen një armë gjahu, një mjet prerës (thikë) dhe municion luftarak.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, u bë e mundur zbardhja e rrethanave dhe dokumentimi i ngjarjes së ndodhur më datë 25.09.2026, në rrugën “Hysni Gërbolli”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se, gjatë një konflikti në një lokal, shtetasi S. P., 54 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur në këmbë shtetasin Gj. K., 33 vjeç, dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
54-vjeçari, u shpall në kërkim për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. P., u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë gjahu, një mjet prerës (thikë) dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve hetimore, rezultoi se gjatë konfliktit ishte përfshirë edhe shtetasi S. T., 20 vjeç, i cili dyshohet se është konfliktuar me disa persona me sende të forta, duke mbetur i dëmtuar shtetasi A. P., 18 vjeç. Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi S. T. u arrestua në flagrancë për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”.
Ndërkohë, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit B. P., 49 vjeç, dhe S. P., 18 vjeç, pasi dyshohet se gjatë konfliktit kanë goditur me sende të forta shtetasin S. T. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën së 49-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan disa fishekë.
Në vijim, gjatë verifikimeve të kryera, rezultoi se shtetasi Gj. K., 33 vjeç, ishte person në kërkim nga autoritetet e Kosovës. 33-vjeçari u arrestua me qëllim ekstradimi, pasi rezulton i dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 50 ditë burgim, për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
