TIRANË- Hakmarrja dhe gjakmarrja janë fenomene të vjetra, të lidhura ngushtë me traditën dhe rregullat në kanunet shqiptare, veçanërisht në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ato lindin kur një familje kërkon të marrë gjakun, duke u hakmarrë ndaj familjes tjetër. Ky fenomen ka krijuar konflikte që zgjasin me vite, e ndonjëherë zgjasin edhe ndër breza, duke detyruar familjet të ngujohen nga pasiguria dhe frika.
Një nga pasojat më të rënda është ndikimi i kësaj dukurie te fëmijët. Ata rriten të izoluar, duke u privuar nga një fëmijëri normale. Ata nuk mund të luajnë, ata nuk mund të shkojnë në shkollë, dhe ata rriten me frymën se një ditë, familja e tyre do marrë gjak.
Në Shqipëri, numri i fëmijëve të prekur nga fenomeni i ngujimit për shkak të gjakmarrjes ka pësuar luhatje ndër vite. Në të kaluarën, raportimet flisnin për dhjetëra raste në qarkun e Shkodrës dhe deri në rreth 700 fëmijë në nivel kombëtar që mbeteshin jashtë sistemit arsimor. Aktualisht, ndonëse situata duket më e përmirësuar, mungesa e të dhënave të sakta dhe të përditësuara zyrtare e bën të vështirë përcaktimin e një shifre të qartë.
Megjithatë, koha ka ndryshuar, madje edhe mënyra se si realizohet një hakmarrje. Në ditët e sotme dëgjojmë shpesh se konfliktet zgjidhen përmes vrasjeve me pagesë, duke i lidhur këto akte jo vetëm me traditën e gjakmarrjes, por edhe me aktivitetin e grupeve kriminale. Kjo theksohet edhe në raportin e publikuar nga SPAK në vitin 2025, duke nënvizuar se vrasjet me pagesë lidhen me hakmarrjet dhe me konfliktet mes grupeve kriminale, të cilat ndodhin brenda dhe jashtë vendit.
“Një aspekt i veçantë i hetimeve ka qenë dokumentimi i lidhjes mes vrasjeve me pagesë dhe pastrimit të parave të përftuara nga aktiviteti i trafikut të drogës, që vinte kryesisht nga Amerika e Jugut drejt Evropës dhe Shqipërisë”, thuhet në dokumentin e bërë publik nga SPAK.
Por si ndikon ky fenomen në psikologjinë e të miturve? Çfarë parashikon Kanuni për gjakmarrjen dhe si rriten këto fëmijë nën hijen e këtij fenomeni? Përgjigjen na japin ekspertët.
ZËRI pyeti Kreun e Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve, Gjin Marku lidhur me traditat kanunore dhe si këto tradita lidhen edhe me fëmijët, sidomos fëmijët që rriten të ngujuar dhe me idenë se një ditë do të lajnë gjakun borxh.
Ai tha se Kanuni i mësohej çdo fëmije që në vogëli, duke theksuar se ky kod zakonor përcaktonte rregulla të qarta për sjelljen dhe vendimmarrjen në shoqëri. Kanuni përjashtonte në mënyrë të prerë gratë dhe fëmijët nga përfshirja në gjakmarrje, duke e konsideruar këtë një shkelje të rëndë të normave. Megjithatë, me kalimin e kohës dhe dobësimin e rolit të shtetit, kjo traditë është deformuar, duke çuar në përfshirjen e të rinjve dhe fëmijëve në akte të tilla, si pasojë e presionit familjar dhe bindjes se drejtësia institucionale mungon.
“Marrja e hakut dhe e gjakut është në kodin zakonor shqiptar. Kanuni edukonte që në fëmijëri që sapo mësonte fëmija, më dëgjonte se çfarë duhet të bëjë dhe se si duhet të sillet në jetë sapo të dali nga dera. Nëse dikush një fëmijë apo një moshë e re, merrte gjak, sigurisht nuk mund ta bënte atë pa u konsultuar brenda hierarkisë së vendimmarrjes, e bie në një moshë shumë të re, por përgjithësisht shoqëria në qoftë se merr gjakun ashtu siç duhet, shoqëria e respekton. Në këtë rast, fëmijët janë përjashtuar, edhe gratë nuk mundeshin, ashtu si dhe disa persona të veçantë me cilësi të veçanta, siç kanë qenë mjeshtërit, kanë qenë këngëtarët, kanë qenë, janë përjashtuar. Por gratë e fëmijët nuk janë përzierë kurrë në kodet detyruese për gjakmarrjen. Problemi është se, futja në lojë e të rinjve, e të fëmijëve, ka qenë akt shumë i rëndë, antikanunor. Përfshirja e të rinjve së pari vinte nga, nga mendësia e deformuar nga shoqëria, e traditës, nga gjyshi, nga familja që duhet të marrë gjakun dhe hakun. Sepse realisht edhe ato kanë një të drejtë të mendojnë që shteti s'ekziston.”- tha kreu i Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve.
Por si ndikon nga ana psikologjike gjakmarrja te fëmijët? Si formësohet identiteti dhe karakteri i të miturve që përballen me këtë fenomen? Për këto pikpyetje ZËRI pyeti psikologen Manolita Hida.
Ajo thekson se loja dhe socializimi janë thelbësore për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve. Kur këto mungojnë, sidomos tek fëmijët e ngujuar, ata përjetojnë izolim, paragjykim dhe një “vdekje sociale”.
“Në fakt, ne gjithmonë themi që loja është një element shumë i rëndësishëm për rritjen dhe për zhvillimin e fëmijëve. Dhe në momentin që kjo pjesë e lojës mungon, fëmija nuk ka mundësi që të angazhohet dhe të kuptojë rregullat me të cilat duhet të sillet në ambientin e jashtëm. Përpos kësaj, a kemi elementë të tjerë? Patjetër që po, sepse loja nuk është elementi i vetëm. Është socializimi dhe ndërprerja e marrëdhënieve të cilat kanë të bëjnë me botën e jashtme, sepse kemi fëmijë të cilët ngujohen, fëmijë të cilët nuk e kuptojnë arsyen pse, dhe në këtë lloj konteksti kemi një vdekje sociale dhe një paragjykim social në lidhje me këtë kategori të fëmijëve. E gjitha kjo ndikon, ndikon sepse fëmija percepton rrezikun, dhe kjo pjesë e rrezikut bëhet pjesë e jetës së përditshme, njësoj si buka që hahet çdo ditë, pasojat janë shumë dimensionale. Patjetër, në momentin që perceptohet se ka një rrezik, edhe trupi ynë nuk funksionon siç duhet të funksionojë në gjendje normale. Një djalë i cili rritet me frymën e marrjes së gjakut, i cili rritet me frikën që duhet të jetë i mbrojtur gjatë gjithë kohës, zhvillon edhe ato elementët e mosbesimit, dhe e gjitha kjo ndikon, ndikon negativisht edhe në shfaqjen e elementëve të paranojës.”- tha Manolita Hida.
Shpeshherë kemi dëgjuar që ka edhe vrasje me pagesë për të marrë hak, po a është kjo në mnëyrë e re e marrjes së hakut duke e krahasuar me normat kanunore? Gjin Marku thotë se vrasjet me pagesë nuk janë një fenomen krejtësisht i ri, por kanë ekzistuar edhe në kuadrin e kodeve zakonore. Në rastet kur një familje nuk kishte mundësi ta merrte vetë gjakun, ajo mund t’i kërkonte një personi tjetër ta kryente vrasjen në emër të saj. Pra, hakmarrja në disa raste realizohej edhe përmes ndërmjetësve, duke marrë një formë të ngjashme me vrasjen me pagesë.
“Vrasja me pagesë ka ndodhur dhe në kodet zakonore, kur një familje nuk ka mundur ta marrë gjakun, është detyruar ose i ka kërkuar dikujt, i ka thënë: "në emrin tim, do të bësh këtë vrasje se më duhet të marr gjakun." Marrja e gjakut ka ekzistuar edhe nëpërmjet, si të thuash kësaj forme.”- tha ai.
Por në kohët e sotme në vendin tonë, fëmijët e izoluar nuk janë tërëssht të izoluar, sepse para syve të tyre janë ekranet dhe bota virtuale. Psikologia Manolita Hida thotë se përmes ekraneve dhe rrjeteve sociale, fëmijët në ngujim përballen vazhdimisht me imazhe të jetës dinamike të bashkëmoshatarëve, gjë që e thellon ndjenjën e përjashtimit, vetmisë dhe frustrimit. Kjo përvojë kontradiktore, ku lidhja me botën ekziston vetëm në mënyrë të ndërmjetësuar, i bën ata më të vetëdijshëm për mungesat e tyre, por sjell gjithashtu një krizë të identitetit dhe pasiguri të mëdha.
“Ne thamë që bota e jashtme nuk vjen më tek fëmija, por ndërkohë, të mos harrojmë që vjen një tjetër botë, që është bota e ekraneve. Dhe në momentin në të cilin fëmijët e ngujuar shohin që bashkëmoshatarët e tyre vazhdojnë të luajnë, vazhdojnë të eksplorojnë, vazhdojnë të vizitojnë, të lëvizin, dhe e shikojnë këto nëpërmjet rrjeteve sociale dhe modeleve që paraqiten në to, sigurisht që dëmi vjen akoma dhe më i madh. Një fëmijë i cili është i ngujuar nuk ka shansin, nuk ka mundësinë që të dali përtej atyre katër mureve të shtëpisë, e cila tashmë është kthyer në një burg, por me çelësin i cili duket sikur është hedhur në fund të detit. Pra, ti kalon edhe në një krizë të identitetit tënd. Një individ i cili nuk ka zë, nuk ka zë të mbrojë as veten e vet dhe as të thotë që: "Unë jam ky që jam." Ka shumë punë për t'u bërë në këtë drejtim.”- përfundon shpjegimin e saj znj. Hida.
Një aspekt i veçantë i trajtimit të fenomenit të hakmarrjes dhe gjakmarrjes lidhet edhe me kuadrin ligjor në Shqipëri. Përtej zërit të ekspertëve, është e rëndësishme të analizohet edhe mënyra se si këto fenomene parashikohen në legjislacionin penal. Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë të vitit 1995, i cili është ende në fuqi, ekzistojnë disa nene të përcaktuara qartë që lidhen me veprat penale të hakmarrjes dhe gjakmarrjes, si dhe me mbrojtjen e fëmijëve.
Konkretisht, në nenin 78/a, që i kushtohet vrasjes për gjakmarrje, parashikohet se nëse një individ kryen një krim të tillë, dënohet me jo më pak se 30 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm. Ndërsa neni 79, që trajton vrasjen në rrethana cilësuese, përfshin edhe raste të kryera për hakmarrje ose ndaj kategorive të veçanta si të miturit, duke parashikuar dënime jo më pak se 20 vjet burgim ose burgim të përjetshëm.
Gjithashtu, në nenin 83/a “Kanosja serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje”, parashikohet se kërcënimi i një personi për t’u izoluar apo për shkak të gjakmarrjes dënohet me burgim deri në 3 vjet. Në vijim, neni 83/b “Nxitja për gjakmarrje” përcakton se nxitja për kryerjen e gjakmarrjes, kur nuk përbën një vepër tjetër penale, dënohet gjithashtu me burgim deri në 3 vjet.
Nga ana tjetër, drafti i ri i Kodit Penal synon të forcojë më tej luftën kundër këtyre fenomeneve dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me standardet moderne. Në këtë draft parashikohen dispozita më të detajuara për krimet kundër jetës dhe për mbrojtjen e të miturve.
Për shembull, në nenin 746 të draftit, që i kushtohet vrasjes me dashje, parashikohet dënimi me burgim nga 15 deri në 20 vjet. Megjithatë, në rastet kur vrasja kryhet në rrethana rënduese, si për hakmarrje apo gjakmarrje, dënimet parashikohen më të ashpra, duke arritur deri në burgim të përjetshëm. Drafti gjithashtu i kushton rëndësi të veçantë mbrojtjes së fëmijëve, duke parashikuar masa më të forta kundër keqtrajtimit, izolimit dhe çdo forme dhune fizike apo psikologjike ndaj tyre, veçanërisht në kontekstin e konflikteve të gjakmarrjes.
Po a luan rol Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve në këtë fenomen? A mbrohen fëmijët e ngujuar nga ky institucion shtetëror?
ZËRI ju drejtua me një kërkesë për informacion edhe Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës (ASHDMF).
Në përgjigjen zyrtare, ky institucion bëri me dije se, në përputhje me kuadrin ligjor dhe kompetencat e tij, nuk ka raste të referuara apo praktika të ndjekura nga Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijës që lidhen drejtpërdrejt me fenomenin e gjakmarrjes. ASHDMF thekson se roli i saj konsiston kryesisht në monitorimin dhe koordinimin e politikave për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe në mbikëqyrjen e funksionimit të mekanizmave vendorë të mbrojtjes së tyre, dhe jo në trajtimin e drejtpërdrejtë të rasteve konkrete.
"Dëshirojme t'ju bëjmë me dije se, në përputhje me kuadrin ligjor dhe kompetencat institucionale të përcaktuara për këtë institucion, ASHDMF nuk ka raste të referuara apo praktika të ndjekura nga Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijës në lidhje me fenomenin e gjakmarrjes. Roli i ASHDMF lidhet kryesisht me monitorimin dhe koordinimin e politikave për mbrojtjen e fëmijës, si dhe me mbikëqyrjen e funksionimit të mekanizmave vendorë të mbrojtjes së fëmijës."- shkruan ASHBMF.
Kjo përgjigje nxjerr në pah një boshllëk të mundshëm në identifikimin dhe adresimin institucional të rasteve të fëmijëve të prekur nga gjakmarrja, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si këto raste evidentohen dhe trajtohen në praktikë.
Në fund, gjakmarrja dhe hakmarrja nuk janë më thjesht mbetje të një tradite të vjetër, por një fenomen që ka marrë forma të reja dhe shpesh lidhet me krimin e organizuar. Megjithatë, viktimat më të mëdha mbeten fëmijët, të cilëve u mohohet e drejta për një jetë normale. Përballë kësaj situate, roli i shtetit dhe i drejtësisë mbetet thelbësor, jo vetëm për të ndëshkuar krimin, por për të thyer një cikël që vazhdon të përsëritet ndër breza./ZËRI