
ROMË- Nëna e Mark Samson, Nors Marlapz ka pranuar se ka ndihmuar djalin e saj në fshehjen e vrasjes së Ilaria Sulës. Marlapz u mor sot në pyetje në Komisariatin e Romës për disa orë, pasi dyshohej se ishte bashkëpunëtore në krim. Ajo u ndalua të shtunën me akuzën e bashkëpunimit në fshehjen e trupit të pajetë, një vepër penale që parashikon deri në tre vite burg. Marrja në pyetje zgjati rreth 4 orë, për shkak të pranisë së domosdoshme të një përkthyesi, të cilën nëna e autorit e kishte kërkuar.
“E ndihmova djalin tim të pastronte njollat e gjakut në shtëpi”, pranon Nors Marlapz.
Në përfundim të deklaratave dhe përgjigjeve ndaj pyetjeve të prokurores Maria Perna, asaj iu lexua akuza për bashkëpunim në fshehjen e trupit. Në urdhrin e arrestit për 23-vjeçarin, gjyqtari nënvizon "ftohtësinë dhe mungesën e ndjeshmërisë" në goditjen e befasishme dhe "brutale të një personi që kishte besim tek ai".
Nëna e autorit e pranoi se ka qenë në shtëoi në momentin e krimit dhe pranoi se ka ndihmuar të pastrojë dhomën e gjumit ku dyshohet se ndodhi vrasja. Në ditët në vijim, ekipi mbrojtës i 23-vjeçarit mund të kërkojë një ekspertizë psikiatrike për Samson.
Vendimi për ekspertizën psikiatrike
“Nëna ishte në shtëpi, ndryshe nga babai i tij, i cili në atë orë nuk ndodhej aty, dhe tani po sqaron pozicionin e saj. Ajo është nën hetim për bashkëpunim në fshehjen e trupit të pajetë”, konfirmon avokati Fabrizio Gallo, mbrojtësi i Mark Samson.
Për mundësinë e ekspertizës psikiatrike, Gallo shpjegon se duhet të analizohet marrja në pyetje e të riut.
“Nuk është thelbësore, por është një nga mundësitë që mund të ndiqet, në momentin që edhe ne mbrojtësit duam të kuptojmë çfarë ka menduar djali për të kryer një akt kaq të rëndë.”
Ndërsa prokurori u shpreh se Samson duhet të kuptojë se çfarë ka bërë.
“Mark duhet të kuptojë çfarë ka bërë. Mund të tingëllojnë si fjalë të zakonshme, por nuk kam fjalë për të përshkruar dhimbjen që po përjetojnë prindërit e Ilaria Sulës. Ngushëllime për familjen. Ne duhet të dimë se çfarë ka ndodhur”, shton ai.
Si veproi autori?
Mark Samson e vrau Ilaria Sulën duke e goditur 3 herë me thikë në fyt, mbrëmjen e 25 marsit, plagë që i shkaktuan vdekjen 22-vjeçares shqiptare në më pak se një minutë për shkak të humbjes së madhe të gjakut. 23-vjeçari mbylli derën e dhomës së tij të gjumit dhe deri pasditen e 26 Marsit e mbajti të fshehur trupin e studentes shqiptare, të cilën e kishte ftuar për të fjetur në shtëpinë e tij, edhe pse kishin një vit që ishin ndarë.
Ndërkohë siç raportojnë mediat italiane, pak ditë pasi i riu ka vrarë Ilarian dhe e hodhi atë në një greminë, ka çuar mjetin e tij në një servis, si dhe ka kërkuar pastrim të makinës. Punonjës të servisit ku Mark Samson çonte mjetin e tij për riparim, e kanë përshkruar atë si një djalë të sjellshëm dhe se nuk kishin menduar kurrë që ai mund të bënte diçka të tillë.
Prej një jave e zhdukur, 22-vjeçarja Ilaria Sula u gjet e vrarë. Trupi i pajetë u gjet në një valixhe të hedhur në humnerë në një zonë të pyllëzuar në Poli. Shqiptarja u vra nga ish-i dashuri i saj filipinas, Mark Samson, i cili ndodhet në qeli. Hetuesit arritën të zbulonin se në ditët pas zhdukjes së vajzës, 23-vjeçari filipinas kishte vazhduar të përdorte telefonin e saj dhe bënte postime nga profilet e Ilarias në mediat sociale për të fshirë dyshimet./ZËRI