TIRANË-Një tjetër grup kriminal që ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian është goditur nga SPAK. Në kuadër të hetimit SPAK ka lëshuar 10 urdhës-arreste por është ekzekutuar për vetëm 1 prej tyre, Florjan Musaj. Masë arresti është lëshuar edhe për Nikoll Bibaj, Sokol Bibaj, Armando Pacani, Denis Matoshi, Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu, Dritan Gjika dhe Shpëtim Aliu.
SPAK po vijon kërkimet për 2 persona të cilët dyshohet se ndodhen në Shqipëri, ndërsa 7 të tjerët nuk ndodhen në territorin shqiptar. Emri i Denis Matoshit, i njohur edhe si Eldi Dizdari përmendej edhe në dosjen hetimore të grupit kriminal, të cilin SPAK goditi disa ditë më parë, ku u lëshuan 20 urdhër arreste për emra të njohur biznesmenësh si Artur Shehu, Ilir Shtufi dhe Luçiano Koçeku.
Ndërkohë Dritan Gjika është personi, i cili akuzohet për drejtimin e një bande kriminale që trafikonte drogë midis Ekuadorit dhe Evropës. Dritan Gjika u arrestua pas një megaoperacioni të zhvilluar në Ekuador dhe Spanjë në 57 vende te ndryshme për të goditur një grup kriminal shqiptar të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave. Arrestimi, i konfirmuar nga autoritetet ekuadoriane më 26 maj 2025, erdhi në kuadër të dosjes 'Pampa', një hetim i përbashkët nga Ekuadori dhe Spanja, ku u zbulua një rrjet përgjegjës për pastrimin e mbi 30 milionë dollarëve përmes kompanive ekuadoriane.