TIRANË- Vlora Hyseni është shkarkuar sot nga detyra e drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), në lidhje me hetimet që po kryhen për dosjen e “AKSHI”.
Hyseni akuzohet për dy vepra penale, konkretisht “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Ndaj saj është vendosur masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, si dhe pezullimi nga detyra.
Por kush është Vlora Hyseni dhe si mbërriti në krye të SHISH?
Vlora Hyseni u emëruar në krye të SHISH në vitin 2023. Më 17 mars 2023, kryeministri Edi Rama njoftoi se i kishte propozuar Presidentit Bajram Begaj emrin e Vlora Hysenit për drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Në atë kohë, Hyseni vinte nga Kosova, ku kishte mbajtur postin e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), por ishte shkarkuar nga detyra.
Pikërisht kjo pikë, do të kthehej në një çështje debati dhe kundërshtime, pasi opozita kërkonte të merrte informacione të plota rreth saj dhe arsyet e shkarkimit nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Megjithatë, më 3 prill 2023, rreth dy javë pas propozimit të kryeministrit, Presidenti Bajram Begaj e dekretoi Vlora Hysenin në krye të SHISH-it.
Detyra në Kosovë
Hyseni kishte punuar për disa vite në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Fillimisht, ajo kishte mbajtur postin e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe më pas, nga viti 2019, atë të zëvendësdrejtoreshës. Por, më 30 qershor të vitit 2021, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkarkuan Vlora Hysenin nga detyra e zëvendësdrejtores.
“Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 6 (paragrafi 4) të Ligjit Nr.03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (GZ, Nr. 30, 15 qershor 2008). Vendimi për shkarkim e obligon znj. Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara. Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të shpërndarë për mediat në 30 qershor 2021.
Nga drejtimi i SHISH te hetimi i SPAK
Sot, pas më shumë se tre vitesh në krye të SHISH, Vlora Hyseni do duhet të përballet me akuzat e Prokurorisë së Posaçme për dosjen e “AKSHI”.
Hyseni dyshohet për dy vepra penale, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Ndërsa shkak, mësohet se janë bërë disa pamje filmike të sekuestruara në zyrën e Ergys Agasit, së bashku me prova të tjera të administruara nga SPAK./ZËRI