Aktualitet

Ngec porti i ri në Porto Romano! Anulohet tenderi 400 mln euro, kompania e vetme në garë nuk paraqet ofertë

Bëhet fjalë për një tender me vlerë që parashikonte rreth 400 milionë euro. Ndërsa, projekti synonte ndërtimin e portit të ri tregtar, një investim kyç për infrastrukturën portuale dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

zh.ll
Ngec porti i ri në Porto Romano! Anulohet tenderi 400 mln euro, kompania e
porto romano

DURRËS- Procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar, pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk paraqiti ofertë financiare. Mësohet se kompania "Archirodon" nuk e dorëzoi ofertën brenda afatit të përcaktuar më 9 mars, duke bërë që procesi i prokurimit të ndërpritet. 

Bëhet fjalë për një tender me vlerë që parashikonte rreth 400 milionë euro. Ndërsa, projekti synonte ndërtimin e portit të ri tregtar, një investim kyç për infrastrukturën portuale dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Vendimi për pezullim erdhi pas ndërhyrjes dhe kërkesave të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara. Pak ditë më parë, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleeve, i adresoi një letër publike kryeministrit Edi Rama dhe titullarëve të lartë të qeverisë, duke kërkuar shtyrjen e garës.

Ai e konsideron projektin një mundësi që ndodh një herë në 100 vjet, ndërsa thekson se projekti aktual heq mundësinë e Shqipërisë për të qenë konkurruese në rajon. Ndërkohë, SPAK ka nisur hetimet për procedurën e tenderit, me qëllim të sqarojë çdo pasaktësi ose shkelje gjatë procesit të prokurimit.

Çfarë përmbante letra e kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleve

Në letër kërkohet shtyerja e tenderit, duke arsyetuar se nëse Porto Romano ndërtohet në shkallën e tij aktuale të kufizuar, Korridori 8 do të dështojë strukturalisht dhe flukset e mallrave në Evropën Juglindore do të vazhdojnë të kapen nga Pireu dhe Selaniku, duke e lënë Shqipërinë jashtë sistemit kryesor logjistik të Mesdheut për shekullin e ardhshëm. Sipas Van Cleve, projekti aktual është jashtëzakonisht i vogël dhe do të dështonte, kur mund të ishte një Porto Romano i madh dhe mund të ripërcaktojë rolin strategjik të Shqipërisë në Evropën Juglindore.

Dhoma e Tregëtisë Amerikane propozon një projekt më të madh të bashkëfinancuar edhe nga partnerë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia, dhe të realizuar nga furnitorë strategjikë nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia. Gjithashtu propozohet ofrimi i firmave më të mira inxhinierike amerikane për të asistuar në rishikimin e projektimit të Porto Romanos, duke mos mbetur një port kombëtar dytësor.

Kujtojmë se më 27 shkurt Prokuroria e Posaçme sekuestroi dosjen e tenderit të projektit për ndërtimin e portit në Porto Romano, në kuadër të një hetimi për dyshime mbi shkelje në procedurën e prokurimit. Hetimet e SPAK pritet të verifikojnë nëse gjatë zhvillimit të procedurës janë respektuar kriteret ligjore dhe parimet e barazisë në garë. Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga Autoriteti Portual lidhur me sekuestrimin e dosjes.

Ecuria e këtij tenderi nisi zyrtarisht në fund të vitit 2024, ku në garë u paraqitën pesë operatorë dhe bashkime kompanish ndërkombëtare me peshë në industrinë e ndërtimit detar. Gjatë muajit prill të vitit 2025, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave njoftoi se pas fazës së para-kualifikimit, vetëm kompanitë “Archirodon Construction” dhe “Van Oord Dredging and Marine Contractors” arritën të kalonin filtrat teknikë, ndërkohë që emra të njohur si “Webuild” dhe bashkimi i operatorëve i udhëhequr nga “Jan De Nul” u skualifikuan nga gara. Në garë kishte mbetur vetëm Archirodon, kompani e cila, brenda 9 marsit duhet të paraqiste oferten financiare.

Poll

MOS HUMB