Aktualitet

Banorët e Rrjollit protestë para SPAK, qëllojnë me vezë godinën, avokati: Nuk ka asnjë reagim nga instuticionet

Banorët prej një muaji po protestojnë duke kërkuar ndërprerjen e punimeve, me pretendimin se po u grabitet prona private, nga kompania "Gener 2", në pronësi të Bashkim Ulaj e cila ka nisur ndërtimin e resortit “Blue Borgo”.

I.F
Banorët e Rrjollit protestë para SPAK, qëllojnë me vezë
Protesta para SPAK

TIRANË- Banorët e Rrjollit po protestojnë sot para Prokurorisë së Posaçme kundër Korruspionit dhe Krimit të Organizuar. Banorët prej një muaji po protestojnë duke kërkuar ndërprerjen e punimeve, me pretendimin se po u grabitet prona private, nga kompania "Gener 2", në pronësi të Bashkim Ulaj e cila ka nisur ndërtimin e resortit “Blue Borgo”.

Në duar ata mbajnë pankarta ku kanë afishuar dokumentet e pronës që ata disponojnë dhe postera ku shkruhet se besojnë te drejtësia e SPAK, ndërsa kanë qëlluar me vezë në drejtim të godinës së SPAK.

Avokati i banorëve të Rrjollit, Novruz Haderi, pas daljes nga SPAK, deklaroi se është bërë një një kallëzim për Fatmir Shpellzaj në kuadër të dyshimeve se ka bashkëpunuar me zyrtarë të pushtetit vendor për të falsifikuar dokumentet e pronës. Haderi tha se SPAK sërish nuk u ka dhënë një shpjegim se çfarë po ndodh me kallëzimin e tyre. Ai shton se informacioni i marrë është i mangët dhe se banorët ende nuk kanë asnjë reagim nga asnjë instuticion.

“Situata është e agravuar, kallëzimi lidhet me Fatmir Shpellzën është bërë para 1 muaj edhe nuk ka reagim. Është e patolerueshme. Dosja është më shumë se 2 fashikuj. Problematika nuk vjen kot, por si pasojë e mosreagimit të institucioneve. Përsëri na përcollën se do të gjejmë kohë. Është detyrim i këtij organi që t’i dëgjojë këta banorë. Është e drejta e pronës së tyre që e kanë të trashëguar. Kallëzimi ndaj Shpellzës pretendon se ka fituar këtë pronë, dhe ka vend dhe për hetime të mëtejshme se nuk është i përfshirë vetëm ai. Mund të jenë shumë të tjerë që mund ta kenë vënë atë me shpalluta pas muri dhe nuk ka më si të tërhiqet nga kjo situatë. Informacioni është i mangët. Nuk kemi reagim nga asnjë institucion. SPAK minimalisht duhet të japë shpjegime përse e referojnë çështjen. Me emra konkretë i ka prokuroria, vetë fakti sesi është marrë kjo pronë, jemi në kuadër të dyshimit ka persona konkretë të pushtetit vendor të përfshirë. Biznesmeni është i njohur me problematikën e zones, nuk mund të trajtohet një investim i atillë pa asnjë problematikë. Banorëve nuk po u lejohet të ta trajtojnë pronën si të tyren. Kërkojmë një informacion çfarë po ndodh me këtë kallëzim që kemi bërë”, tha avokati.

Ndërkohë banorët e zonës e cilësojnë këtë ndërtim si një grabitje të pronës së tyre nga kompania "Gener 2". Ata thonë se disponojnë dokumentacion të rregullt për 400 dynym tokë, me vendim gjykate të vitit 2006, duke pretenduar se u është vjedhur nga ish-drejtori i Kadastrës Fatmir Shpellzaj.

Resorti turistik do të ndërtohet në kufirin mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër, me një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh. Më 31 dhjetor 2024, biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me vëllezërit e tij, Astrit dhe Ahmet Ulaj, morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje”, për ndërtimin e resortit turistik “Blue Borgo” në bregdetin e Velipojës./ZËRI

Poll

MOS HUMB