Aktualitet

Nis viti i ri shkollor, Kumbaro: Më shumë kushte bashkëkohore, siguri, dije dhe zbavitje

Kumbaro u ndal edhe te përdorimi i telefonave celularë gjatë orëve të mësimit, duke kërkuar nga nxënësit që ta shohin këtë masë si një mënyrë për të ruajtur përqendrimin në mësim.

zh.ll
Nis viti i ri shkollor, Kumbaro: Më shumë kushte bashkëkohore,
mirela kumbaro

TIRANË- Sot nis viti i ri shkollor 2026-2027 në arsimin parauniversitar. Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, u është drejtuar me një videomesazh të gjithë nxënësve, duke u uruar suksese dhe një vit të mbarë shkollor.

Përmes videomesazhit, Kumbaro nënvizoi punën e Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve arsimore për sigurimin e kushteve më të mira të mësimdhënies dhe për krijimin e mjedisit të ngrohtë e nxitës në shkolla.

Kumbaro u ndal edhe te përdorimi i telefonave celularë gjatë orëve të mësimit, duke kërkuar nga nxënësit që ta shohin këtë masë si një mënyrë për të ruajtur përqendrimin në mësim.

​”Mirëmëngjes, këtë ditë të parë të shkollës të gjithë ju nxënës të dashur, mësues, prindër dhe gjyshër që sot shoqëroni nipër e mbesa në shkollë. Të dashur vogëlushë që sot nisni klasën e parë, që në fytyrë shfaqni buzëqeshje, por brenda jush keni shumë emocione dhe zemrat e vogla ju rrahin fort, kjo do të jetë një ditë që do ta mbani mend gjatë, ndoshta gjatë gjithë jetës suaj, prandaj ne të rriturit, mësuesit, drejtori i shkollës suaj, jemi kujdesur që kjo të jetë një ditë e bukur, e gëzueshme dhe ju të ruani kujtime të bukura prej saj.
Ju sot do të njihni shkollën tuaj, do të mësoni ku do të jetë klasa juaj, do të mësoni ku është palestra ku do të luani, oborri ku do të pushoni, laboratori inteligjent i shkollës ku do të mësoni të bëni gjëra të bukura, do të mësoni emrat e shokëve dhe shoqeve tuaj. Ne sot jemi së bashku dhe do të jemi së bashku kështu e çdo ditë të vitit shkollor.
​Ashtu siç do të jemi edhe me shokët tuaj më të rritur në klasë të dytë, të tretë e me radhë. Që kanë më shumë libra dhe i kanë detyrat pak më të vështira se sa ju. Suksese të dashur nxënës të gjithë arsimit parauniversitar nga parashkollori deri në maturë. Ne do të punojmë çdo ditë këtë vit që ju të keni kushte sa më të mira ku mësoni, laboratore, smartlabe dhe projekte ku ju mund të mësoni e shkëlqeni siç është festivali i shkencës, siç janë olimpiadat, siç është konkursi i gjuhës, apo konkursi i zërave të bardhë nëpër kore. Dhe mos u mërzisni nëse mësuesja ju kërkon të fusni celularin në kuti para se të futeni në mësim. Mos e quani një urdhër – ndalim. Është shumë e rëndësishme që e gjithë vëmendja dhe fokusi juaj të jetë në mësim. Suksesi dhe profesioni që do të keni nesër varet nga sa do të mësoni SOT! – veçanërisht ju maturantë të dashur që keni një vit plot sfida përpara dhe vetëm të mësuarit do të mund t’ju nxjerrë faqebardhë! Paçi një vit plot arritje në mësime dhe plot kreativitet gjatë programit pas shkolle, 408 shkolla do të jenë në këtë program për të krijuar edhe aktivitete të tjera, ku nxënësit mund të rrinë edhe pak më gjatë në shkollë, jo vetëm për të mësuar por edhe për t’u zbavitur. Suksese!””, tha ministrja.

Poll

MOS HUMB