BULQIZË-Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në lumin Drin, në Gjoricë të Bulqizës, ku 5 persona në lidhje familjare me njëri-tjerin kanë rrezikuar të mbyten.
Raportohet se gjatë kohës kur po laheshin pasditen e djeshme, niveli i lumit Drin është shtuar pas hapjes së portave të hidrocentralit në Dibër të Madhe. Për pasojë, rrjedha e ujit i ka marrë ata, ndërsa dyshimet janë se një 7-vjeçare është mbytur.
Familjarët kanë njoftuar Policinë rreth orës 21:00 të mbrëmjes së kaluar. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku për rreth 4 orë kanë bërë të mundur shpëtimin e 4 personave, ndërsa kërkimet për të miturën vijojnë.